Shkarkohet drejtori i Policisë

Tjetër ndryshim në rradhët e Policisë së Shtetit. Këtë herë bëhet fjalë për një qark të rëndësishëm e tejet problematik sa i përket kriminalitetit e bandave.

Kështu, Altin Qato, pas thuajse dy vitesh, largohet nga posti i drejtorit të Policisë së Elbasanit.

Vendin e tij do e zërë Arjan Muça, sipas newsbomb.al. Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për publikun por dhe për vetë Policinë e Shtetit.

Muça, në kohën e qeverisjes së Berishës, ka qenë shefi i Operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në 7 gusht 2009, ku për pasojë mbetën të vdekur 4 policë.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit me në krye Arjan Muçën, ndërhynë në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë suksesi i Arjan Muçës, në krye të Policisë së qarkut të madh të Elbasanit dhe se çfarë do të ndodhë më tej me karrierën e Altin Qatos.