Shkodër-Velipojë fut në ‘karantinë’ disa fshatra, re.voltohen banorët



Një javë më parë kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi në rrjetin e tij social facebook se rruga Shkoder – Velipojë është tashmë gati, pasi përmbyllja e punimeve të kilometrave të fundit u arrit pas shpronësimit të banorëve. Por në fakt rruga ende nuk është e aksesueshme për qytetarët e zonave që ajo përshkon dhe as për vizitorët që i drejtohen Velipojës turistike, apo fshatrave Dajç e Berdicë. Pengesat e betonit vijojnë të qëndrojnë në pjesën fundore të rrugës dhe nuk dihet se kur do të hiqen, por ato duket se janë problemi më i vogël. Banorët e Berdicës pasi protestuan pak ditë më parë, me kërkesën për të ndërtuar daljet e tyre në rrugë, pasi aty kanë tokat bujqësore dhe shtëpitë, pritet që të bëhen pengesë që rruga të hapet plotësisht nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Ata i thanë shkodraneës se nëse qeveria dhe bashkia nuk reflektojnë, do të vendosin barriera penguese, pasi kështu po ju dëmtohen tokat dhe po pengohen të komunikojnë me rrugën kryesore, e cila u ka marrë shumicës prej tyre thuajse gjysmën e tokës. 18 kilometrat e rrugës së Velipojës janë kthyer në një telenovele prej afro 3 vitesh, ku palët përplasen në distancë. Pasi nuk arriti të përmbyllej në afate, ky aks paraqet shumë problematika që nuk morën zgjidhje edhe më investimin e ri. Kafshët lëvizin sërish në këtë rrugë pasi nuk u ndërtuan ato dytësore, e po ashtu ndriçimi mungon për orët e natës. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, edhe premtimi i kryeministrit Rama se ajo do të kishte ndricim në të dy krahët e saj u harrua me shpejtësi. Tashmë që aksi i përfunduar ende nuk është hapur, mbetet vetëm të presim paradën e radhës që do të bëjnë ministria e linjës dhe qeveria, për inaugurimin e këtyre kilometrave në mes të vjeshtës, e të zbatuara në mënyrë gjysmake.