Shkodra piketohet për 11 mandatet, surprizë emrat që do të garojnë. Jozefina Topalli rrezikon të…



Zgjedhjet e 25 prillit 2021 pritet të jenë interesante për një qark si Shkodra, ku gara duket se do të jetë ndër më të fortat që ka njohur historia e këtyre 30 viteve të demokracisë. Torta e 11 mandateve të deputetëve që prodhon ky qark, për herë të parë pritet të mos ndahet mes 3 apo katër partive, por loja mund të njohë zhvillime më të forta.



Socialistët e kanë udhëheqësin e tyre të listës që është i deleguari i qarkut Ilir Beqaj, ndërsa krah tij pritet që emri i dytë te jetë një grua, e me shumë gjasa ajo do të jetë prefektja Majlinda Angoni. Të paktën këto janë zërat që përfliten në radhët e PS.



Në krahun tjetër demokratët duket se janë më të vonuarit, pasi ende Lulzim Basha nuk e ka zgjedhur të deleguarin, e për pasojë edhe emri kryesues i listës mbetet në pikëpyetje. Emrat që përfliten janë të shumtë mes të cilave, numri dy i PD Gazmend Bardhi, Edi Paloka, Aldo Bumçi dhe Ledina Mandija.

Ndërsa Shkodranët janë lënë këtë herë jashtë kryesimit nga Lulzim Basha, i cili ka menduar tjetër strategji për këto zgjedhje. Tek LSI nuk pritet të ketë shumë surpriza, pasi emri që kryeson listën mbetet ai i Agron Çelës. E njëjta gjë edhe tek PSD ku Tom Doshi pritet të udheheq listën e kësaj partie me të cilën ka rritur mbështetjen në zgjedhjet e fundit.

Surprizat priten në radhët e partive të reja që hyjnë me të tjera objektiva, e ku pritet që ti prishin jo pak balancat e pushtetit në një qark të djathtë si Shkodra. Jozefina Topalli, gruaja e fortë që për 20 vite përfaqësoi qarkun Shkoder në kuvendin e Shqipërisë nën siglën e PD, këtë herë vjen me forcën e saj politike “Lëvizja për Ndryshim”.

Ende nuk e ka konfirmuar por me gjasa jo do të jetë drejtuese e listës në këtë qark, e padiskutim që hyrja e emrit të saj në listë do të lëkund jo pak themelet e partive të mëdha, kjo për shkak të mbështetjes që ajo ka në elektoratin e djathtë e jo vetëm në këtë qark.

Krah saj në listë pritet të jenë emra të rinj, të papërfshirë më parë në politike, e pa ndonjë “mëkat” mbi supe sic kanë një pjesë e madhe e politikanëve në vendin tonë. Surprizë është edhe nisma “Thurje” që në këtë qark do të garojë me emrin e Rudina Hajdarit, e cila edhe pse e quajti herët deklarimin se ku do të jetë në garë, një fakt të tillë e ka konfirmuar partia e saj dhe ajo vetë në rrethe të ngushta.

Por duket se nuk do të mbarojë me kaq oreksi i partive për Shkodrën, pasi edhe emra të tjerë po përfliten për të garuar në këtë qark, i cili mund të shënojë për herë të parë në historinë e tij një nga betejat më interesante politike, e që mund të zvoglojë po për herë të parë pushtetin e mandateve të dy partive të mëdha, PD & PS. /ShkodraNews