‘ShkodraNews’ mëson skenarin e opozitës: P.ërplasjet do jenë të pashmangshme, kur të shpallë rezultatet e zgjedhjeve Rama do bllokohet…

Përballë sfidimit që po i bën haptas Edi Rama, tashmë edhe duke hapur fushatën, opozita e bashkuar deklaron se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje vendore.

E duket se më shumë se asnjëherë tjetër, vendi po shkon drejt një skenari aspak të dëshiruar, e ku përplasjet në ditën e votimeve do të jenë të pashmangshme.

Opozita e ka ndërtuar në krahun tjetër strategjinë, ku përveç pengimit të qytetareve, ka menduar edhe një skenar tjetër, që lidhet së paku me bashkitë që drejton, 15 nga 61 të tilla që ka vendi.

Burime për Shkodranews bëjnë me dije se Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë zgjedhur që pikërisht në rast të mbajtjes së zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultatit nga Edi Rama, që natyrisht me situatën aktuale, është fitues në këto bashki, tek 15 bashkitë e djathta kryetarët të mos pranojnë të dorëzojnë mandatin.

Pra me pak fjalë të mos ketë kalim pushteti, por të bllokohen vulat e bashkive dhe e gjithë baza materiale, duke përdorur në këtë rast “forcën”.

Se sa do të jetë i zbatueshëm ky skenar, kjo mbetet për tu parë, megjithese gjasat janë që deri në 30 qershor vendi të shkojë ose drejt një zgjidhje të krizes dhe marreveshjes për shtyrje të zgjedhjeve, ose drejt nje kolapsi më të madh, ç’ka natyrisht do të shënonte hapa pas, pikërisht në momentet më delikate që lidhen me një sërë sfidash, jo vetëm ato integruese.

Një dëm i madh po i shkaktohet turizmit nga kriza e tejzgjatur politike dhe nga mungesa e një marreveshje mes palëve, ndërsa në njërin krah partia në pushtet çel fushatën dhe prezanton kandidatët e saj, e në krahun tjetër opozita e bashkuar proteston dhe në 2 qershor ka thirrur grumbullimin e radhës përpara kryeministrisë.

Loja tashmë ka hyrë në shina të rrezikshme dhe nëse nuk ndërhyhet nga faktori ndërkombëtar me forcë, kriza mund ta “izolojë” jo vetëm politikisht Shqipërinë aspirante për tu bërë pjesë e familjes Europiane./ShkodraNews