Shpërthen në Rilindje, buburrecët i hanë karrigen Ramës

E dini sa është paga e drejtorit dhe nëndrejtorit të Kadastrës? Jo më shumë se 900 mijë lekë të vjetra, përfshi edhe dietat e ca bonuse të tjera. Padyshim një pagë e kënaqshme, sa trefish i një punëtori të thjesht, por “lufta” në Vlorë, e çdo vend të administratës së lartë, nuk bëhet për këtë pagë, as për humbjen e statusit, por është vendi i parasë, pushtetit, influencës dhe delirit, pra Rilindja ua ka mundësuar këtë parajsë të përzgjedhurve të saj.

Drejtori dhe nëndrejtori i Kadarstrës Vlorë, Florian Alimadhi dhe Klodian Troci u shkarkuan tre ditë më parë për “performancë” të dobët, por ata nuk pranuan që të linin zyrat. U ngjeshën pas karriges dhe ulërinin se do e mbronin me çdo çmim atë vend pune. Konfrontime, fyerje, kërcënime mes punonjësve të lartë të administaratës së shtetit.

Aty shkuan edhe punonjës të shumtë të policisë dhe dy zëvendësuesit e këtyre drejtuesve, ku njëri prej tyre pak orë më parë dha dorëheqjen. Tension i madh, batërdi e tmerrshme dhe këta cackej që janë, ata që ishin, ata që do vijnë bëjnë luftë për të mbajtur atë karrige, qoftë edhe për pak muaj.

Janë vende ku e nis punën ma xhingla monedhash në xhep dhe del me makina të shtrenjta, veshje firmato, llogari bankare të shtuara dhe miqësi me ata më të lartit, deputetë, ministra, ish- ministra, shoqëri me “çuna problematik” dhe prestigj për të gjithë jetën. Menaxhojnë pronat, kanë në duar fatet e qytetarëve që në javët e fundit janë bërë dëshmitarë të sherreve të drejtorëve, juristëve dhe nëpunësve të tjerë.

Nuk është vetëm Kadastra Vlorë, por kjo gjendje është kudo në zyrat e Rilindjes. Mania e gllabërimit, vjedhjes, korrupsionit dhe ndikimeve të paligjshme ka çuar në përplasjen brenda llojit. Sot pushteti nuk merret me kundërshtarët politik, por grin mes vetes se kush do përfitojë më shumë, cili ka mik më të fortë dhe kush di të ndajë në mënyrë të “ndershme” fitimet e paligjshme.

Një komunikim i veçantë ndodhi sot live në telenovelen e përjavshme të kryeministrit Edi Rama me punonjës të portalit “shqipëriaqëduam” dhe qytetarëve, që sipas tij kanë marrë zgjidhje.

Qytetari: “Sa do i fortë të jetë trungu, nëse këto buburreca nuk do të zhduken, ky trung përsëri do të mbetet i gërryer”.

Edi Rama: “Të jesh i sigurt se nuk kam patur nevojë të ulem në një stol për të parë çfarë po më bëjnë buburrecat nga poshtë, rri në këmbë dhe shoh buburrecat që gërryejnë”. Kryeministri po lan duart, veten e nxjerr të pastër, ndërsa lë të kuptohet se imazhin dhe erzin po ia marrin disa drejtues të administratës, ca “buburreca” brejtës që hanë jo karrigen e tyre, por paranë e qytetarëve, që detyrohen të paguajnë nëndorë për të përfituar të drejtën që u takon.

Por kryeministri nuk jeton politikisht qoftë edhe një ditë të vetme nga këta “buburrecë”. Janë “çunat problematik”, trafikantë që i kandidon për kryetar bashkie, deputetë e ministra që një në dy fjali përdorin fjalët magjike: “ja q.. robt”, “mos e çaj k….”, mos më çaj b…..”-etj, etj audio të larmishme që gjenden të gjitha në dosjen hetimore 184, të dërguar me urdhër nga lart në prokurorinë e Dibrës që të përfundojë në “varrin masiv” të çështjeve që do mbyllen.

Atyre nuk u duhet ngrënë haku, është mëkat të quhen buburrecë, sepse “po hedhin baltë mbi grupet kriminale”-tha, pak kohë më parë ish-kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako.  Ata të japin pushtetin që sot e mban Rama dhe i ngjan atij nëndrejtorit të Kadastrës që nuk e lëshon edhe kur e shkarkojnë, edhe kur nuk ka zgjedhje, edhe kur ka zgjedhje me vjedhje.  Marrë nga Boldnews.al