Shtohen kundërshtarët e Ramës në PS, pas Xhafajt, Majkos e Dades, edhe Ditmir Bushati i bashkohet “luftës” për rrëzimin e kryeministrit

Bushati ka dhënë sinjale se është kundër Ramës dhe se po lufton për rrëzimin e tij.

Pozitat e kryeministrit Edi Rama në krye të Partisë Socialiste dhe në karrigen e pushtetit po lëkunden ndjeshëm, teksa vetëm pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale. Disa nga figurat më të njohura në PS janë pozicionuar kundër kryeministrit Rama dhe kanë nisur luftën e nëndheshme për rrëzimin e tij. Pas Fatmir Xhafajt, Pandeli Majkos dhe Arta Dades, kundër Ramës ka dalë edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Bushati ka dalë kundër qeverisë së Ramës, në lidhje me marrëveshjen për ratifikimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Dëgjova përfaqësuesit e qeverisë, ka një politikë shtetërore Shqipëria në këtë pikë. Nuk flasim as për sasi dhe as për prezencë shqiptarësh, flasim për shqiptarët si një nga dy komunitetet shtetformuese në Shkup. Dhe kjo është pjesë e programit të politikës së jashtme të kësaj qeverie që e kemi miratuar të gjithë në Kuvend, të paktën ne të maxhorancës, është e konfirmuar në samitin e Uellsit, i cili duhet të jetë pjesë meqënëse nuk është pjesë e relacionit të sjellë nga Këshilli i Ministrave, është bërë betejë në 2014 për të përfshirë Marrëveshjen e Ohrit si kriter për avancimin e vendit në NATO dhe duhet të figurojë zyrtarisht si dokument i Kuvendit të Shqipërisë”, ka thënë ish-ministri i Jashtëm.

Me po të njëjtën ashpërsi, ka vijuar edhe më tej ish-ministri, teksa ka deklaruar se qeveria mund të ketë bërë ndonjë lapsus në dokumentin që i ishte dërguar komisionin për të miratuar, pasi ësthë ngatëruar me procedurat që ka procesi i anëtarësimit në BE.

“Mund t’ju them duke nisur nga konstatimi në relacion ku flitet për Maqedoninë vend kandidat në NATO, pas samitit të Uashingtonit, besoj se është një lapsus, është ngatërruar mbase me procedurat që ka procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Prandaj duke përfunduar këtë pjesë që ka lidhje me substancën e kësaj marrëveshje që ne kalojmë sot, duke mos i hequr asnjë presje pjesës që bën departamenti i të drejtës ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, te pjesa substanciale mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm për ta qepur si duhet këtë dokument se ka të bëjë me politikën shtetërore tonën, dhe nuk është thjesht një marrëveshje ndërkombëtare e radhës që ne po kalojmë sot këtu”, ka deklaruar Bushati.

Në këtë mënyrë, Bushati ka dhënë sinjale se është kundër Ramës dhe se po lufton për rrëzimin e tij, së bashku me Xhafajn, Majkon e Daden, të cilët nuk e fshehin më dëshirën për të larguar nga karrigia e pushtetit Edi Ramën.