Shtohet numri i viktimave nga Covid-19 në Shqipëri, ministria del në njoftim

Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të diel se 2 qytetarë nga Tirana kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit për shkak të koronavirusit duke e çuar numrin e viktimave në 76.

“Dy qytetarë nga Tirana 67 dhe 69 vjeç e kanë humbur betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët po bëjnë të pamundurën në Spitalin Infektiv”.

Në Spitalin Infektiv po shtohen çdo ditë rastet. Atje janë të shtruar 89 pacientë, 11 prej të cilëve në terapi intensive, ndërsa njëri i intubuar në gjendje të rëndë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 392 persona të dyshuar me Covid-19 ku janë konfirmuar pozitivë 74 raste.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 22 raste në Tiranë, 12 në Krujë, nga 8 në Pukë dhe Berat, 4 në Vlorë, nga 2 në Shkodër, Durrës, Kurbin, Kavajë, Kamëz, Përmet, Malësi e Madhe dhe nga një rast në Lushnje, Mallakastër, Gjirokastër, Pogradec, Dibër, Kolonjë”.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 20 qytetarë. Aktualisht në vendin tonë janë 1160 persona aktivë me sëmundjen.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.