Shtyhet ndeshja e Vllaznisë, por ka një lajm të mirë për tifozët

Ndeshja e fundit që mbyll edhe fazën e parë në Kategorinë e Parë mes Ilirisë dhe Vllaznisë ishte planifikuar të luhej të shtunën në orën 14:00. Por, mesa duket FSHF ka vendosur për një shtyrje të kësaj ndeshje. Jo me një ditë por me dy ditë. Kështu, ky takim do të luhet të hënën në orën 14:00 në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.

Arsyeja ka të bëjë me faktin se të dielën Kastrioti luan ndeshje në Kategorinë Superiore. Dhe nëse luan edhe Vllaznia me Ilirinë të shtunën, pra një ditë më herët, atëherë fusha do të jetë në një gjëndje jo optimale. Gjithashtu, mësohet se kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, si rrjedhojë e dënimit të fushës për Ilirinë.

Ndërkohë, lajmi i mirë për tifozët shkodranë është se ky takim do të transmetohet drejtëpërdrejtë nga RTSH. Çka do të thotë se sportëdashësit, jo vetëm shkodranë, do të kenë mundësi të ndjekin këtë sfidë nga TV. Një ndeshje në të cilën Vllaznia do të kërkojë vetëm fitoren. /ShkodraNews