Si po i ndihmojnë fizioterapistët pacientët me COVID-19



Ndërsa e gjithë bota po përballet me një luftë të ashpër me armikun Covid-19, në vijën e parë të frontit qëndrojnë mjekët, ata të cilët po mundohen që të shpëtojnë e të mbajnë në jetë sa më shumë pacientë që janë prekur.



Apeli në shtetet që janë prekur me së shumti nga koronavirusi, përpos kërkesave drejtuar qytetarëve për respektimin e masave, është ai për staf të shtuar mjekësorë për t’i bërë ballë “sulmeve” të kësaj lufte.



Së bashku me mjekët, infermierët dhe profesionistë të tjerë të kujdesit shëndetësor, kësaj lufte i janë bashkuar edhe fizioterapistët, duke u bërë një hallkë kyçe për përballjen me virusin vdekjeprurës.

Sipas një shkrimi të botuar në “Sky News”, raportohet se një numër në rritje i fizioterapistëve po përdorin aftësitë e tyre për pacientët me Covid-19 që ndodhen në terapi intensive në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe pse shumë pacientë janë mësuar që rolin e fizioterapistit ta shohin vetëm në rastet e dëmtimeve të sportistëve, në rehabilitimin e pacientëve pas operacioneve në gjymtyrë, ky grup profesionistësh kanë njohuri në kujdesin e pacientëve në gjendje kritike, siç po rezulton në rastin e të prekurve me Covid-19.

Rachael Colclough zakonisht punon në repartet spitalore, por tani është transferuar për të punuar në kujdesin intensiv në Birmingham.

Por ku asiston ndihma e tyre për këta pacientë?!

Colclough, e cila është nënkryetare e Shoqatës së Fizioterapistëve, duke folur për “Sky News”, tha: Një pjesë e rolit tonë në kujdesin intensiv është të japim mbështetjen e duhur për mushkëritë që t’i mbajmë larg sekrecioneve që krijohen nga virusi, në mënyrë që të pastrohen rrugët e frymëmarrjes.

Ajo thotë se teknikat që përdorin, si në lëvizjen e pacientëve në pozicionin e qëndrimit, bëjnë që sekrecionet e mbledhura të pastrohen më lehtë duke i dhënë pacientit liri në frymëmarrje.

“Kjo është jashtëzakonisht e nevojshme për pacientët që janë në intubim”.

Për pacientët e shtruar në spital, qëllimi i rehabilitimit është të zvogëlojë komplikimet që vijnë nga qëndrimi në shtrat dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientit.

Një nga specializimet në fushën e fizioterapisë është “frymëmarrja”.

Fizioterapistët punojnë ngushtësisht me mjekët dhe infermierët për të menaxhuar ventilimin jo-invaziv dhe terapinë e oksigjenimit, për të vendosur në mënyrë korrekte maskën në fytyrën e pacientit dhe gjithashtu të monitorojë çdo ndërlikim (dhimbje dhe prerje në lëkurë, acarim të syve, ndjesi e klaustrofobisë …).

Po ashtu fizioterapistët bëjnë dhe monitorimin e parametrave jetik të pacientëve me Covid-19.

Gjithashtu, është jashtëzakonisht e rëndësishme për pacientët që i nënshtrohen ventilimit mekanik invaziv dhe për atyre me oksigjenim, mënyra e qëndrimit në shtrat, pjesë në të cilën po ashtu asistojnë fizioterapistët.

Ata kujdesen që pacientët të mos kenë dëmtime nervore nga qëndrimin në shtrat dhe pozicionimi i gabuar i tyre, apo të mos humbasin forcën dhe masën muskulore, kryesisht për pacientët në moshë të re.

Në fund, kur pacientët ia dalin me sukses, janë pikërisht grupi i fizioterapistëve që do të asistojnë në “rimëkëmbjen e tyre” sa më të shpejtë dhe pa dëmtime.