Si t’i paguani faturat e energjisë elektrike nga karantina? Ja çfarë duhet të dini urgjent



Një nga shqetësimet e shumta të qytetarëve në këto ditë karantine mbetet pagesa e faturave të energjisë elektrike. Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tolerim në mospagesën e energjisë elektrike. Të gjithë qytetarët mund t’i paguajnë faturat pa qenë nevoja të dalin nga shtëpia. Pagesa bëhet lehtësisht në e-Albania, një shërbim ky që ekziston prej kohësh në portal.



Agjencia Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit (AKSHI) sqaron për “Monitor” procedurat që duhet të zbatojnë qytetarët dhe biznesi për pagesat e dritave pa dalë nga shtëpia. AKSHI thekson se pagesa nga shtëpia mund të kryhet me çfarëdo lloj karte debiti apo krediti që disponohet.



AKSHI sqaron se shërbimi online për pagesat e dritave mundësohet online vetëm duke vendosur numrin e kartës të debitit apo kreditit, të çdolloj banke që disponohet, pa pasur shërbimin “home banking”.

“Konkretisht, qytetari apo biznesi hyn në platformen e-Albania duke u identifikuar si qytetar ose si bzines. Qytetari apo biznesi mund të printojë faturën e muajit të kaluar të energjisë elektrike si dhe mund ta paguajë atë direkt përmes kartave të debitit ose të kreditit.

Procedura në e-Albania të mundëson të gjenerosh edhe faturat e energjisë elektrike të papaguara bashkë me kamatvonesat, pa qenë nevoja të paraqiteni në sportele, në zbatim të masave kundër COVID-19”, shpjegon AKSHI.

Procedura e plotë për pagesën e energjisë elektrike në e-Albania;

Dokumentacioni i nevojshëm

– Dokumenti i identifikimit të përdoruesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike, i nevojshëm për t’u identifikuar si qytetar në portalin e-Albania;

– NUIS (Numri Unik i Identifikimit të Subjektit), i nevojshëm për t’u identifikuar si biznes në portalin e-Albania.

Hapat e procedurës

– Identifikohuni si qytetar ose biznes në portalin e-Albania;

– Vendosni kodin e klientit dhe klikoni butonin “Afisho”;

– Klikoni butonin “Fatura” në qoftë se dëshironi të gjeneroni faturën. Faturën mund ta printoni ose ta ruani në formatin “PDF”.

– Në rast se do të kryeni pagesën online, klikoni butonin “Paguaj” dhe ndiqni hapat për të kryer pagesën;

MONITOR