Sipas Ramës tashmë duhet të ishte gati, por ajo që po ndodh me Rrugën e Thethit…do presim edhe ca

20 korriku i 2020 do të duhej të kishte shënuar inaugurimin e saj, por rruga e Thethit është larg kësaj dite. Megjithëse në terren punohet, ecuria e tyre është e avashtë dhe me gjasa si shumë investime të tjera në qarkun Shkodër, edhe kjo e fundit do të shohë dritën e përfundimit vetëm vitin e ardhshëm. 14 kilometrat nga Qafë Thorja e deri në brendësi të fshatit i janë nënshtruar zgjerimit dhe projekti parashikon jo vetëm asfaltimin e tyre por edhe ndërtimin e 3 tuneleve të vogla panoramike që shmangin bllokimin e rrugës në dimër, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe orteqeve. Kryeministri Edi Rama, në shtatorin e 2019, nëpërmjet rrjeteve sociale lajmëroi nisjen e  punimeve për ndërtimin e këtij segmenti rrugor dhe premtoi përfundimin e saj brenda korrikut 2020. Se çfarë ka ndodhur me 10 muajt që kryeministri kishte vënë si afat askush nuk di të thotë, duke pasur parasysh se pandemia ndërpreu vetëm për 3 muaj punimet. Që në nisje të saj ishin ngritur dyshime për afatet duke pasur parasysh se aty në dimër nuk punohet, por firma i ishte “zotuar” kryeministrit se do ta kryente këtë investim me të gjitha parametrat e kërkuar në këto afate. Gjërat devijuan rrugës dhe sot investimi ka mbetur akoma në fazën e ndërhyrjeve për zgjerim dhe sheshim, por që për të shkuar tek asfalti dhe veprat e artit do të duhen edhe disa muaj, e duke pasur parasysh qe me vjeshtën që nisin shirat e pastaj i lënë vendin bores e ngricave, ka pak gjasa që këto të realizohen në kohë. Rruga e Thethit do të duhet të presë kështu pranverën e 2021, kohë kur shumë investimeve në Shkodër qeveria ka vendosur t’u prese shiritin e inaugurimit, e të jenë kështu një gur i mirë elektoral, duke qenë se hyjmë në vit zgjedhor. Shpresa e vetme në gjithë këtë listë të gjatë investimesh që janë parashikuar të jenë gati, mbetet të mos abuzohet tek cilësia, ajo për të cilën në këto 3 dekada është vënë dorë pa kursim nga të gjithë.