Situata e ‘nderë’ në PS Shkodër, afati përfundoi dhe ende nuk ka kryetar, ndarje në grupe dhe përplasje interesash

Afati i vendosur përfundoi dhe Shkodra ende nuk ka një kryetar të partisë socialiste. Prej muajsh dega më e madhe e kësaj force politike në veriun e vendit është zhytur në kaos, pasi Edi Rama shkarkoi të gjithë strukturën drejtuese me ikjen e Valdrin Pjetrit. Tashmë palët janë më shumë se të përçara, kjo për faktin se deputetet kanë formuar grupimet e tyre dhe nga ana tjetër, anëtarësia nuk di se kujt ti përgjigjet në mungesë të një kryetari. Burime nga selia rozë në Tiranë thonë se po lobohet fort si nga Senida Mesi ashtu edhe deputetët e tjerë për të zënë vendin e kryetarit një nga njerëzit e tyre të besuar, por kryesocialistin Rama nuk po e bindin situatat e krijuara dhe fryma që vjen nga dega e Shkodres. Kështu bëri që 15 Janari të dështojë dhe kur pjesa më e madhe e degeve i kanë votuar kryetaret e rinj të partisë socialiste, Shkodra është ende në pritje të emrit që do të mbërrijë nga kryeqyteti. Të deleguarit e qarkut më shumë se punë rezultative, kanë shërbyer si emra për të thënë që është dikush, pasi Arben Pëllumbi nuk ka qënë më shumë se 2 apo 3 herë në Shkoder, Musa Ulqini nuk është parë gjëkundi në analizat e ringritjes, e deputetet e tjerë Senida Mesi e Luan Harusha, më shumë kanë zhvilluar mbledhje të ndara sesa sebashku thonë strukturat e Shkodres. Një burim i tha Shkodraneës se influenca e Ditmir Bushatit ndjehet ende edhe pse ai nuk është dukur në këtë seli që prej largimit të tij nga pozicioni drejtues, që Rama zgjodhi ta zëvëndësojë me Valdrin Pjetrin. Nga ana tjetër po i njëjti burim thotë se ai ka qënë në Shkoder në vizita informale, ku nuk ka kursyer kafetë dhe takimet me grupin e ngushtë të punës që ka patur kur ishte si i deleguar. Megjithatë sot gjërat kanë marrë tjetër rrjedhë me dërgimin e tij në OSBE, pasi Shqipëria ka marrë vitin drejtues. Lufta mbetet mes dy deputeteve Mesi e Harusha dhe qëndrimit që do të mbajë Rama bashkë me strukturën drejtuese, për një nga deget më problematike në vend, siç ka rezultuar të jetë Shkodra./ShkodraNews