Skandal. Gjiknuri mbron të akuzuarin për vra.sje: Është krejt normale, ka patur dënime..

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri gjatë një interviste për televizionin “6 Plus 1 Vlora”, është pyetur edhe në lidhje me përgjimet e publikuara gjatë ditëve të fundit në media me objekt zgjedhjet e pjesshme lokale të Dibrës, mbajtur në 11 Shtator 2016. Gjiknuri ka dhënë detaje për secilin prej pretendimeve të ngritura, duke këmbëngulur se në bisedat e tij nuk ka asgjë antiligjore dhe se rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 në të njëjtin territor, ka rikonfirmuar atë të vitit 2016, madje duke e thelluar nga 4100 në 7300 vota.

“Personalisht nuk kam aty asgjë antiligjore, përveçse ndonjë fjalë të papërshtatshme për të cilën i kërkoj ndjesë publikut që e dëgjon. Në fund të fundit, nuk kam thënë asgjë të tillë në publik por duke bashkëbiseduar me të tjerë në telefon. Nuk ka asnjë veprim antiligjor të dalë dhe po të kishte, prokuroria vet do kishte vepruar me kohë. Rezultatet elektorale të 2017, jo vetëm konfirmojnë rezultatet e 2016 por janë më të thelluara. Do të thotë se këtu kemi të bëjmë me një trend politik të vazhdueshëm bjerrjeje të Partisë Demokratike, rritje të peshës së Partisë Socialiste dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ai Ymer Lala që përmendin këta, mund të ketë patur ndonjë dënim në të kaluarën por unë nuk dua të hy në këtë çështje. Ai njeri unë nuk di të jetë në kërkim, nuk e di të akuzohet për ndonjë vepër sepse do ta kishin arrestuar pasi është person publik. Madje vajza e tij sot është deputete në Dibër. Këtu kemi të bëjmë me një faktor politik. Unë për vota isha në Dibër, nuk isha Ministër i Energjetikës së Dibrës. Unë kisha vajtur të drejtoja fushatën elektorale. Do të flisja dhe me PDIU që e kisha aleatin kryesor dhe me gjithë të tjerët. Pra, këtu nuk ka asgjë sekrete. PDIU-ja po ta kujtoni, në atë kohë ka qenë aleate me Partinë Demokratike por për interesa lokale bënë aleancë me Partinë Socialiste. Aleancat lokale njihen në zgjedhje vendore. Lëvizja Socialiste për Integrim që ishte në koalicion me ne, u rreshtua në krah të Partisë Demokratike kundër kandidatit tonë.

Është krejt normale që edhe me Ymer Lalën do të flisja se këtu nuk ka asgjë të keqe. Ai ishte kordinator dhe drejtues politik i një partie aleate, faktor me vota të caktuara dhe sot vajza e tij është deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Hidhen emra sikur çfarë ka ndodhur. Në momentin e parë kur i dëgjon thua çfarë ka ndodhur, kur i dëgjon me qetësi sheh se nuk ka asgjë antiligjore aty. Mund të ketë si në çdo palë zgjedhje nuanca për ndonjë përdorim administrate. Ato le të hetohen plotësisht. Ato kanë ndodhur gjithmonë dhe kanë ndodhur vitet e shkuara shumë rëndë. Ju e mbani mend presionin që ushtronte Partia Demokratike nëpër fushata ndaj punonjësve të administratës. Nuk mund të thuash do ti vë zjarrin vendit dhe nuk hyj në zgjedhje se është dosja 184 dhe ke tre vjet me këtë dosjen që e mban aty. Kur del dosja përfundon me ca anektoda e barcaleta. Dakord, u bënë meme dhe u kënaqën këta që bëjnë meme. Po pse ky është krimi elektoral?! Qartazi duket se kemi të bëjmë me një skenar të ndyrë për të bërë pis Shqipërinë në dyert e Europës duke përdorur dhe media ndërkombëtare. Dosjen e ka prokuroria, le ta hetojë dhe ti shkojë procesit deri në fund. Me ato çka janë publikuar dhe i kanë parë gjithë shqiptarët, nuk ka asgjë që mund të më shqetësojë mua personalisht apo Partinë Socialiste se ka kryer ndonjë krim elektoral”.