Skandal/ Zhvatja e Bashkisë në Vau të Dejës, çfarë i pret banorët me kërkesën e re


Megjithëse jemi në vitin 2019, furnizimi me ujë të pijshëm nga rrjeti ujësjellës mbetet një problem për shumë bashki. Një të tillë e ka edhe bashkia Vau Dejës, e cila nuk arrin të furnizojë pa ndërprerje me ujë të pijshëm banorët e këtij komuniteti, edhe pse ky ishte një premtim që u bë pothuajse në çdo fushatë elektorale, e me gjasa do të jetë edhe i këtij viti kur kandidatët për kryetar bashkie të dalin përpara banorëve të kësaj zone.


Mesatarisht në ditë në bashkinë Vau Dejës banorët furnizohen vetëm 6 orë në ditë me ujë, ndërsa sipas zonave orët e furnizimit variojnë nga 3,5 në 24 orë në ditë. Për këtë vit që kemi nisur mendohet që orari të mund të shkojë maksimalisht me 15 orë në ditë. E thënë ndryshe në gjuhën e shifrave, nga 52.000 banorë në zonën e juridiksionit përfitojnë shërbimin e furnizimit me ujë nëpërmjet rrjetit të ujësjellësit rreth 13 mijë e 800 banorë ose rreth 26% e popullsisë.


Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, rreth 19 % furnizohen me puse. Shqetësim për këtë bashki mbetet edhe trajtimi i ujërave të ndotura, që aktualisht në pjesën më të madhe të fshatrave funksionon me gropa septike dhe vetëm për zonat urbane Bushat dhe Vau Dejës për rreth 10.000 banorë kryhet nga rrjeti i ndërtuar, që kalon në filtra përpunimi. Edhe humbjet në rrjet janë një tjetër shqetësim, ku ato llogariten në 448.174 m3 /vit, nga të cilat 70% janë humbje administrative dhe 30% janë humbje teknike.
Sa i përket pajisjes me matësa, që cilësohet edhe si hapi i parë që çdo ndërmarrje duhet të bëjë për të rritur efiçensën dhe të ulë humbjet në rrjet gjendja paraqitet e tillë: Në qytetin e Vaut të Dejës janë instaluar rreth 400 matësa, në Bushat dhe Barbullush rreth 95% e lidhjeve janë pajisur me matësa, në Malin e Jushit rreth 90% dhe në Ranxa 85% e konsumatorëve janë të pajisur me matësa. Në disa fshatra si Kukël, Shkjezë etj., faturohet aforfe pasi nuk ka matësa të instaluar.


Edhe pse ka këto probleme bashkia Vau Dejës ka paraqitur kërkesën në Entin rregullator të ujit për rritje të tarifave, por kjo nuk është pranuar dhe ERRU në argumentimin e bërë sqaron se: Rritja e tarifave për të mbuluar 100% kostot direkte të O&M do të ishte një kërcim mjaft i madh dhe ndoshta me efekte të kundërta nga një reaksioni i mundshëm i konsumatorëve, sidomos i shtresave të popullsisë me të ardhura mesatare të ulëta.