Skandali i ministres Balluku, përdor toponimin sllav për qytetin e Kongresit të Alfabetit

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku ka preferuar të përdorë toponimin sllav për qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut. Gjatë inspektimit të nënstacionit të HEC Koman, Balluku deklaroi se projekti i radhës “është linja 400 kV Elbasan – Bitola (Maqedoni).”

Manastiri është një qytet i rëndësisë së veçantë për historinë e shqiptarëve, pasi aty, më 1908, u zhvillua Kongresi i Alfabetit, ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe.

Emërtimi Bitola është përdorur edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjisë së Shqipërisë.

Por përveç emërtimit të gabuar për Manastirin, Balluku ka bërë një tjetër ‘gafë diplomatike’ kur i referohet shtetit fqinj si thjesht Maqedonia dhe jo Maqedonia e Veriut.

I njëjti gabim nuk është përsëritur nga ambasadorja e Gjermanisë që shoqëronte Ballukun, e cila ka përdorur emërimin e saktë për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Sektori i energjisë përbën prej atëherë një qendër të bashkëpunimit tonë dhe qeveria ka vënë deri më tani në dispozicion një shumë prej rreth 370 milionë eurosh vetëm për investimet në sektorin e energjisë. Mes tyre edhe për sistemin e transmetimit të energjisë elektrike 400 kV në drejtim të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, është shprehur ambasadorja Schutz.