Skandali, spitali i Shkodrës pa masa për raste zjarresh. Drejtoresha fshihet dhe i kërkon zjarrfikëses ta bëjë publik rastin

Një skandal i vërtetë mund të quhet ajo që ndodh në spitalin rajonal të Shkodres, e ku titullarja nuk ka guxim apo forcë t’ia përcjellë vetë ministres Ogerta Manastirliu, apo institucioneve të tjera të varësisë, por përdor drejtues të shërbimit zjarrfikes për të ngritur alarmin.

Teuta Rrjolli i ka kërkuar ndihmë PMNSZH-se që të ngrejë shqetësimin për mungesën e sigurisë në rast të rënies së një zjarri në pavionet e spitalit, pasi sipas saj kjo është mënyra e vetme për të sensibilizuar ministrinë që të ndërhyjë pasi deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ridvan Bushati, shef i sektorit operacion bëri me dije një fakt të tillë, duke treguar se rreziku në të tilla raste është i lartë, aq më shumë kur kemi të bëjmë me institucione delikate, si në rastin e spitalit, ku me dhjetra pacientë ndodhen të shtruar, e të tjerë marrin trajtim ditor në urgjencat e tij. Kujtojmë që në 4 Mars pati një rast zjarri në spital, ku një defekt elektrik alarmoi të gjithë repartin e neurologjisë, e ku u desh që të spostohen në një pavion tjetër pacientët e shtruar atje.

Pra e gjitha kjo që ndodh në spital nuk ka nevojë për komente, e ku marrja e masave emergjente është domosdoshmëri. Por absurdi qëndron në fakti se si një titullare mund të kërkojë të përdorë të tjera institucione për ta thënë këtë gjë, kur do të duhej të dilte e para e ta bënte këtë, e jo të fshihej si struci.

Kuptohet që veprimi i saj e ka një shpjegim, pasi kërkon të ruaje vendin e punës, që për të është më i rëndësishëm se jeta e një pacienti, që në këtë rast është e shumë pacienteve, por edhe mjekeve e infermiereve që kalojnë ditët dhe netet në spital. Ministrja e shëndetesisë sëbashku me strukturat përkatëse duhet të veprojë në kohë, e ti japë zgjidhje kësaj situate, e të mos bëjë rolin e të paditurës, gjithmonë duke shpresuar që ngjarje të rënda, apo shfaqje të zjarreve të mos ketë, e në rast të një të tilli, të jetë me deme sa më të vogla./ShkodraNews