Sorollatjet e privatizimit të Vllaznisë, ja si justifikohet Bashkia Shkodër

Privatizimi vijon të mbetet një çështje e pazgjidhur tek klubi Vllaznia. Është diskutuar dhe premtuar aq shumë, sa tani nëse realizohet do të jetë e vështirë për tu besuar. E do të besohet ndoshta vetëm atëherë kur presidenti i ri të marrë drejtimin e skuadres shkodrane.

Në lidhje me këtë çështje ka investiguar edhe “Faktoje”, ku ka vendosur që të kontaktojë me Bashkinë Shkodër në mesin e muajit maj të vitit të kaluar për të pyetur nëse kishte përfunduar proçesi i privatizimit të K.F Vllaznia, ndërsa përgjigjia e Bashkisë në fund të majit ishte se nga proçedurat për privatizimin e Vllaznisë ishin kryer vetëm 2 nga 4 aktivitetet e parashikuara.

Sipas Bashkisë aktivitetet kryesore të projektit kanë qenë: Ngritja e komisionit për pergatitjen e termave të referencës për përzgjedhjen e shoqërisë ose ekspertit kontabël për vlerësimin e gjendjes financiare dhe vlerës së shoqërisë. Kryerja e proçedurave të përzgjedhjes, lidhja e kontratës, marrja në dorëzim e dokumentacionit. Përgatitja e dokumentacionit për ta paraqitë në Këshillin Bashkiak dhe në asamblenë e shoqërisë, për përcaktimin e pëqindjes së aksioneve për shitje me ankand. Fillimi i proçedurave të ankandit dhe finalizimi i shitjes së aksioneve.

Por, më pas “Faktoje” ka kontaktuar përsëri në fund të muajit dhjetor për të pyetur sesi kishte ecur proçesi i privatizimit dhe nëse ishte përmbyllur apo jo. Sipas Bashkisë së Shkodrës në 8 qershor 2018, në Këshillin Bashkiak është dërguar raporti i vlerësimit të aseteve të K.F “Vllaznia”. Pra, është përmbushur edhe pika e tretë e aktiviteteve kryesore, por ka mbetur pa u realizuar pika e fundit që është edhe më e rëndësishmja: privatizimi i K.F Vllaznia.

Se kur do të ndodhë akoma nuk dihet, por nëse Vllaznia do të mbesë edhe për shumë kohë nën administrimin e Bashkisë do e ketë shumë të vështirë arritjen e sukseseve. Për më tepër, që 100-vjetori i themelimit e gjen në Kategorinë e Parë. /ShkodraNews