Spitali kthehet në makth, çfarë po ndodh në Shkodër

Do të duhej të ishte në shërbim të pacientëve, por spitali rajonal i Shkodres është kthyer në makthin e tyre, pasi ju duhet që për një konsultë me mjekun specialist, apo një vizitë, ta përshkojnë përmes një sërë peripecish.

Qytetarët qëndrojnë në radhë në sportelin e spitalit, duke i ngjarë radhëve të dikurshme, me orë të tëra e shpesh pa arritur të kryejnë punë. Këto imazhe të dërguara në redaksinë e Shkodranews tregojnë qartë se cfarë kalvari të gjatë vuajtjeje duhet të kalosh përpara se të takosh mjekun.

“Jam që në orët e para të mëngjesit dhe jo vetëm që nuk po mundem me ju afru sportelit, por kam ken edhe një ditë ma parë e na than ska ma vizita se kanë mbledhje. Këto paqin faqen e zezë se nuk vijmë për qejf por për hall se jena të sëmurë, e me një mal me probleme. Unë i baj thirrje ministres, drejtoreshes së spitalit dhe kujdo që ka në dorë që ta zgjidhin këtë lamsh. Rrëmujë të tillë në spital nuk di të kem pa kurrë ma parë, vecse po e bajnë me qëllim që në me shku në spitale private” thotë një paciente.

Një tjetër shton: “Di me than që ky është turpi i të gjithë spitalit, tuj fillu të drejtuesi e deri tek mjekët që pajtohen me këtë gja. Na nuk vijmë për me ba shëtitje këtu, e as me i pa këto, por me marrë konsultën për problemin që kena. Drejtoreshes së spitalit që rrin e na mshehet po i them se tash nuk ka mbet gja tjetër vetëm me të rujt e me të marr mas nesh që të shohesh pritjen e sorollatjet që kena për një takim me mjekun. Turp, turp dhe vetëm turp”.

Një pacient tjetër tregon: “Këto mirë se radhët na i shtunen e pritjet, por nuk po marrim zgjidhje, e kur hyn në spital nuk ke as ilaçe, asgja prej gjaje. Ju duket bukur me u tall me ne, por ta dijnë mirë ministrja se kjo punë nuk do ti mbetet me kaq, as asaj dhe askujt që sorollat një të sëmurë”. Në fakt të tilla skandale në spitalin e Shkodres kanë qënë të vazhdueshme por deri më tani vetëm është heshtur pa u dhënë një zgjidhje përfundimtare, ndërsa pasojat bien mbi kurrizin e pacientëve.