Studentët të hënën nisin ngujimin edhe në Shkodër, rektori Bekteshi rreshtohet krah qeverisë!

Ashtu sic po ndodh në disa qytete të vendit, edhe në Shkoder me fillimin e javës së ardhshme studentet kanë vendosur të ngujohen në auditore, për ta vijuar protestën e tyre të patërhequr përballë indiferentizmit të qeverisë që të miratojë 8 kërkesat e të rinjve.

Burimet bëjnë me dije se studentet kanë gati strategjinë e ngujimit, ndërsa në mbështetje të tyre pas fakultetit të drejtësisë, priten të dalin edhe fakultete të tjera, të cilat janë gati t’u rreshtohen në krah studenteve për kërkesat që i kanë parashtruar qeverisë, si dhe anullimin e ligjit për arsimin e lartë. Por ajo që bie në sy është fakti se ndërsa të rinjtë po bëhen gati për përshkallëzimin e protestes së tyre, nga ana tjetër javën e fundit rektorati i universitetit “Luigj Gurakuqi” është treguar indiferent përballë kërkesës që studentët bënë për uljen e pikë krediteve nga 30 në 25 për kalimin nga viti i dytë në të tretin.

Asnjë përgjigje nuk ka patur nga senati i universitetit dhe vetë rektori Adem Bekteshi, por madje ky i fundit ka shpejtuar të nxjerrë një deklaratë ku i kërkon studenteve të futen në auditore e të nisin mësimin. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Bekteshi u pa të premten në konferencën e organizuar nga qeveria, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama me ministrat e tij. Përkrah ish zv/kryeministres Senida Mesi ai dëgjoi fjalimet e gjata dhe retorikën politike të qeverisë, duke dalë kështu përkrah paktit të qeverisë dhe kundër zërit të studentëve.

“Pakti për universitetin” e uli Bekteshin në sallë si një dëgjues, ku më shumë kryeministri i sulmoi vetë titullarët e institucioneve të arsimit të lartë, sesa ju la alternativa të tjera zgjidhje. E asnjëri prej tyre nuk guxoi e aq më pak dënjoi ta kundërshtojë, apo të tregojë hapat e hedhur si institucione të decentralizuara në këto vite, por ulën të gjithë kokën si fajtor.

E Bekteshi nuk bëri përjashtim dhe tashmë mbetet për tu parë se si do të reagojë dhe do të sillet përballë studenteve nga fillimi i javës kur ata do të nisin ngujimin brenda auditoreve. A do të jetë krah tyre sic ka deklaruar rektori apo do të rreshtohet si qeveria në zërin kundërshtues, duke ju kërkuar të mbyllin protestat dhe ngujimet e të nisin mësimin./ShkodraNews