Supergrabitja sot, njësoj si ajo e 2016! Njihuni me ‘trurin’ e bandës që dyshohet se e organizoi

Një tjetër supergravitje pothajse e ngjashme me atë që ndodhi drekën e kësaj të marte në aeroportin e Rinasit ndodhi edhe më 30 qershor 2016 po brenda pistës së aeroportit “Nënë Tereza”.

Kjo supergrabitje ka një person të pandehur dhe ai quhet Aleks Pepa nga Elbasani.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol”, dhe është i njohur nga prokurorët e Krimeve të Rënda si “truri” i kësaj grabitje.

Ka dyshime se i njëjti grup ka grabitur me të njëjtën skemë 10 milion euro sot në Rinas.

Gati 9 muaj pas ngjarjes, policia dhe prokuroria në shkurt të 2017 realizuan një kontroll të imtësishëm në banesën e prindërve të Aleks Pepa, ku gjetën 50 mijë euro brenda në frigorifer, sasi e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë mësohet se për këtë ngjarje autorët kanë përdorur katër makina të vjedhura, mes tyre dhe një furgon.

Pepa dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë identifikuar nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike, të cilat kanë vërtetuar se në 30 qershor 2016, autorët janë lokalizuar nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.

Çështja penale kundër Pepa dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, është hetuar për gati dy vite nga prokurorët Vladimir Mara dhe Olsian Çelaj, të cilët pas administrimit të shumë provave në dosje, kanë vlerësuar që këtë javë të dërgojnë në gjykatë dosjen penale në ngarkim të Aleks Pepa, për akuzën e “Grabitjes me armë të bankave” kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Ndërkohë për dy bashkëpunëtorët e tjerë të Pepa, prokuroria mësohet të ketë vendosur veçimin e dosjes penale, duke kryer hetime të mëtejshme, për përcaktimin e rolit të tyre në këtë supergrabitje.