Syneti i Kërpudhës

Nga Edmond Tupja

Këto ditët e fundit, një numër protestash popullore po i lëkundin jo vetëm së gjeri e së gjati, por, me sa duket, edhe në thellësi themelet e qeverisë aktuale me në krye zotin Edi Rama, udhëheqësin e saj madhështor e të papërsëritshëm, i cili ka ditur të konceptojë e të ndërtojë jo vetëm me atë, por edhe me partinë tij marrëdhënie çuditërisht të bazuara njëherazi te joshja horizontale dhe te frika vertikale.

Viktima të këtij tërmeti të shkaktuar nga zemërimi i protestuesve qe, përveç skelave të vendosura në mënyrë mjerane para portës së madhe të Kryeministrisë, edhe kërpudha deri diku gjigante që kishte mbirë artistikisht ngjitur me Kryeministrisë, a thua se –e shkreta ajo!– ishte tejet helmatisëse, ndoshta më tepër se gazi toksik që u përdor kundër një grushti protestuesish të dhunshëm, të cilët, në kundërshtim me frymën paqësore të tubimit masiv të 16 shkurtit–me më shumë se 100 000 pjesëmarrës–, shkarkuan zemërimin e tyre duke e bërë synet pa anestezi të gjorën kërpudhë! Disa ditë më vonë, pikërisht më 21 shkurt, fati e deshi që në protestën e ngjeshur e të fuqishme para Kuvendit të boshatisur ose, më saktë, të braktisur nga shumica parlamentare, nuk pati mbirë artistikisht ndonjë simotër e kërpudhës fatkeqe të Kryeministrisë, se ndryshe edhe atë mund ta kishin bërë synet, ndoshta, kësaj radhe, me anestezi të paktën të pjesshme.

Sidoqoftë, le të më lejojnë tani lexueset e lexuesit e mi të vëmendshëm e të paanshëm që, pa u vonuar te syneti si dukuri kirurgjikale, të merrem seriozisht me kërpudhën si simbol. Së pari, duke pasur parasysh formën e saj dhe në dritën e psikanalizës frojdiane, mund të pohohet me plot gojën se kemi të bëjmë me një simbol falik, pra, me diçka që të kujton falusin, d.m.th. penisin. Së dyti, pas këtij konstatimi, mund të pyesim veten: Përse vallë ky simbol ishte vendosur pikërisht përbri Kryeministrisë ose, më saktë, ngjitur me të? Së treti, nga kjo pyetje rrjedh krejt natyrshëm një pyetje tjetër: Çfarë qëndrimi mbanin punonjësit e Kryeministrisë tek kalonin pranë asaj kërpudhe duke hyrë të paktën pesë herë në javë në institucionin e tyre të ndershëm e të nderuar dhe duke dalë të paktën po aq herë prej andej? E vështronin me indiferencë? E këqyrnin vjedhurazi me kureshtje? E sodisnin me kënaqësi të brendshme? E admironin haptas duke mbajtur frymën? E adhuronin duke përcjellë pështymën? Duke buzëqeshur ëmbël vesh më vesh? Me lot në sy? Mes ëndërrimesh nga mesi e lart? Nga mesi e poshtë gjithashtu? Mos vallë, me t’u futur në zyrë, shefat dhe shefet, nga më i vogli e më e vogla te më i madhi e më e madhja, tregoheshin më të sjellshëm e të jellshme, më të afrueshëm e të afrueshme, më të dashur e më të dashura, më ledhatarë e ledhatare me vartëset e vartësit e tyre? Po kur morën vesh lajmin tronditës, rraskapitës e përpëlitës të synetit të dhunshëm që kishte pësuar kërpudha e tyre e madhërishme, si reaguan gjithë anëtarët e stafit kryeministror nga më i parëndësishmi te më i rëndësishmi? Cili apo cila prej atyre i dha asaj, kërpudhës së dhunuar, ndihmën e parë? Për ç’lloj ndihme bëhej fjalë? Mjekësore? Psikologjike? Me fërkime? Me ledhatime? Me shtrëngime? Oh, e mjera kërpudhë!

Sidoqoftë, me siguri që zoti Kryeministër tashmë i ka dhënë, falë humanizmit të tij të paskajshëm, një zgjidhje optimale problemit në fjalë duke e urdhëruar qeverinë dhe partinë e tij që, me ndihmën bujare të Mari Juanës, Hero Hinës dhe Koka Hinës, ta kthejnë pa vonesë, pa përtesë e pa shkesë dëshpërimin në durim, dhimbjen në dhembshuri dhe dërrmimin në dehashpirt në mënyrë që kërpudha krenare ta marrë veten sa më shpejt falë kontributit të çmuar të mjekëve specialistë më të aftë, që do të vijnë nxitimthi në Tiranë nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, për të vënë në vend nderin e kërpudhës së tij të dhunuar, zoti Kryeministër duhet të më falënderojë publikisht, po e përsëris, nënvizoj e theksoj PUBLIKISHT, që e kam ngritur, ngrehur e tendosur lart figurën e çdo kërpudhe, përfshirë edhe atë të Kërpudhës së tij Falike kur, në “Fjalorin erotik të frutave, luleve dhe perimeve” (Botimet Pegi, Tiranë, 2017), te fjala “kërpudhë” shkruaj se “…Së pari, mjafton një zëvendësim i germës së dytë të kësaj fjale me germën e parë të alfabetit tonë të nderuar e të ndershëm, që të dalë në pah ngjyrimi i saj erotik; së dyti, mjafton një zëvendësim i germës “u” me atë “i” që të përforcohet ngjyrimi haptas erotik i fjalës “kërpudhë” (nëse këto dy zëvendësime bëhen njëkohësisht, atëherë rezulton një kombinim erotik krejt shpërthyes)…”.

Së fundi, por jo më së paku, nëse fatkeqësisht dështon çdo përpjekje sublime për ta restauruar Kërpudhën Falike të Madhërisë së Tij Kryeministrore, jam i sigurt që ditën e varrimit të saj, të panumërta do të jenë homazhet kombëtare e ndërkombëtare në Tiranën e mavijosur, të cilat, falë gjithashtu ateizmit tim të deklaruar, uroj të vazhdojnë përjetësisht edhe në parajsën e praruar të Hiçit. Amin!

Lexo edhe: