Takimi i Ramës në Berlin, ish deputetja befason: Po fshehin lajmin e k.eq, shenjat janë se…

Teksa pritet një lajm i madh nga Berlini, ish-deputetja demokrate Grida Duma thotë ne nje postim ne rrjetet sociale teksa komenton takimin e kryeministrit Rama me Kancelaren Angela Merkel, se “Justifikimet me fitoren e pritshme të së djathtës “ekstreme” në zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian, me qëndrimin e Francës, e cila nuk do zgjerim, janë thjesht përdredhje të realitetit”, ndërsa shton ndër të tjera se për të pestën herë me radhë Shqipërisë i refuzohet hapja e negociatave.

“Kjo është shenja e parë e qartë që tashmë kriza politike në vend, nuk është më çështje e brendshme e Shqipërisë, zgjidhja e të cilës është në dorën e një grushti politikanësh, disa prej të cilëve të qajnë ditën e të qeshin natën.”, shprehet Duma.

Postimi i plotë:

Samiti i Berlinit është shumë i rëndësishëm për të gjitha sinjalet që transmeton. Duket se një nga elementët prioritare është marrëdhënia Kosovë – Serbi.

Kosova sot, ashtu si gjithmonë, ka nevojë për një Shqipëri dinjitoze!

Shqipëria ka nevojë për përgjegjësinë e kuptuar mirë dhe ndershmërinë që i përgjigjet kësaj nevoje!
Të dashur miq,

Është e qartë tashmë që teknikaliteve që përdoren për të fshehur lajmin e keq mbi integrimin evropian të Shqipërisë po u del boja. Të gjitha shenjat tregojnë se hapje negociatash nuk do të ketë.

Ky është një lajm i rëndë.

Rruga e Shqipërisë po ndahet nga ajo e Maqedonisë, e cila mesa duket e ka marrë Po-në zyrtare.

Justifikimet me fitoren e pritshme të së djathtës “ekstreme” në zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian, me qëndrimin e Francës, e cila nuk do zgjerim, janë thjesht përdredhje të realitetit.

Realiteti është vetëm një – për të pestën herë me rradhë Shqipërisë i refuzohet hapja e negociatave. Kjo është shenja e parë e qartë që tashmë kriza politike në vend, nuk është më çështje e brendshme e Shqipërisë, zgjidhja e të cilës është në dorën e një grushti politikanësh, disa prej të cilëve të qajnë ditën e të qeshin natën.

Të qeshin, teksa thonë me ironi: “Në Shqipëri në fund të ditës vendos populli”.

Por populli shqiptar është i pari në rajon që beson tek Bashkimi Europian, që e sheh dritën tek hyrja ne Europë.

Pse vonohet hapja e negociatave; Shqipëria nuk ka probleme madhore me fqinjët; ajo nuk ka probleme me emrin, ashtu si Maqedonia e Veriut; ajo nuk ka probleme minoritetesh, ashtu si pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit.

Ti fshihesh të keqes duke gënjyer popullin tënd, nuk e eliminon të keqen, as nuk i shpëton shqiptarët.

Shqiptarëve në Shqipëri u takon ti dëshmojnë vetes, ashtu dhe të tjerëve, që çelësi i integrimit të tyre është në Tiranë; ky çelës nuk ka humbur as në Evropë, as në ankesat për populizmin dhe nacionalizmin evropian, as në raportet e policisë hollandeze për trafikun e drogës.

Çelësi i integrimit të shqiptarëve është vjedhur e mbahet peng nga interesa individësh që kanë pushtet, që uzurpojnë politikën, ekzekutivin, gjyqësorin, legjislativin.

Por mes nesh nuk gjendet vetëm çelësi i humbjes.
Mes nesh është edhe çelësi i zgjidhjes.