Të gjithë po pyesin, por ç’po ndodh me “Lasgushin” e Ramës?

“Air Albania”, ishte një nga lajmet më të bujshme dhe që u shit si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë Rama.

Në datën 10 dhjetor të vitit 2018, kryeministri Edi Rama deklaroi në Facebook se “Air Albania” nuk ka ikur por po pajisjet me dokumentacionin e duhur për të qenë pjesë e rrjetit europian si kompani ajrore.

Statusi i Ramës në 10 dhjetor 2018: Air Albania nuk ka ikur është në procesin e marrjes së një sërë licensash që e bëjnë pjesë e netëork-ut si kompani flamuri. E di që shumë gjëra nuk bëhen siç i prisni ju shpejt. Unë i dua shumë më shpejt se ju, por ca të bëj dhe mërzitem kur ndodh dicka.”

Deklarata e gazetarit turk Murat Herdem: “Turkish Airlines ka bërë një marrëveshje të ngjashme pak vite më parë edhe me Bosna Airlines, ku u humbën disa miliona euro dhe gjithçka u mbyll. Partneriteti me Air Albania duket i njëjtë dhe gjasat janë që dhe ky partneritet të përfundojë siç përfundoi ai me Bosna Airlines.”

Kjo ishte “profecia” e gazetarit turk Murat Herdem në gusht 2018 kur avioni AirBus 319 i lyer kuqezi filloi të bentë xhiro Tiranë-Stamboll-Tiranë me të moshuar apo gazetarë sipër.

Gjatë verës së vitit të shkuar, kryeministri Rama lançoi me të madhe Air Albanian si një sukses i partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi duke njoftuar se brenda pak kohësh, krahas Stambollit, ngjyrat kuqezi do të fluturonin edhe në Romë, Paris, Londër, madje edhe në New York.

Linja ajrore nën emrin shqiptar që sipas premtimeve të qeverisë Rama do të ngrihej në qiell disa muaj më parë vijon të jetë një fantazmë.
Tetori 2018 si afati i vendosur nga kryeministri Edi Rama për të nisur fluturimet “fluturoi” para avion duke lënë shumë pikëpyetje për ecurinë e kësaj kompanie.

Por sapo mediat nisën të hedhin dyshime për problemet në licencimin e kësaj kompanie ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku doli në Rinas pranë avionit me mbishkrimin “Air Albania” dhe deklaroi se për 10 ditë do të merrej licenca e fluturimit.

Balluku njoftoi firmosjen e marrëveshjes financiare, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Turkish Airlines” dhe premtoi se “Air Albania” ka kaluar nëpër fazat që kërkohet për t’u certifikuar, për të arritur sot në konkludimin e marrëveshjes financiare mes palëve e cila hap dritën jeshile për certifikimin e kësaj kompanie nga autoritetit civile, gjë që do të ndodhë brenda një jave ose 10 ditëve”.

Ishte data 15 shkurt kur u bë kjo deklaratë dhe akoma kjo kompani nuk e ka marrë licencën e fluturimeve as për fluturimet drejt Turqisë, ku është e vendosur dhe kompania mëmë “Turkish Airlines”.

Disa fluturime që avioni “Air Albania” ka bërë i ka pajisur qytetarët shqiptarë me bileta që mbajnë mbishkrimin Turkish Airlines.

Problemet me çertifikimin, çfarë nuk thotë Balluku.

Balluku, ish drejtoreshë e Albcontrol, kompani shtetërore shqiptare që është aksionere në kompaninë Air Albania, sipas “Mapo”, tha se kësaj kompanie i duheshin vetëm 10 ditë për t’u certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Pavarësisht afateve publike të tyre që janë tejkaluar kompania shtetërore ajrore nuk është pajisur akoma me lejen e fluturimeve, përveç fluturimeve dhuratë që ofroi qeveria në verë si pjesë e promovimit të saj.