“Të kapim ç’ë kapim”, Voltana Ademi bën tender 100 milion lekë, do të ‘arnojë’ dëmet e veta

4 vite shkatërrim i qytetit dhe degradim i investimeve publike, kanë bërë që Shkodra të ketë jo pak probleme. Qoftë në aspektin e aksesueshmërisë por edhe të imazhit, që mbetet i rëndësishëm për një qytet historik dhe turistik. E kjo gjë nuk i ka  bërë përshtypja Voltana Ademit dhe administratës së saj, përtej kritikave të vazhdueshme, apo kërkesës për të vënë dorë. Por gjërat kanë ndryshuar tashmë që mandati zyrtarisht i ka përfunduar dhe ndërsa vijon të qëndrojë në karrigen e kryetares së bashkisë, për të është parë me rëndësi këtë periudhë të ketë sa më shumë shpenzime. I tillë është tenderi që sapo ka çelur këtë fillim muaji që mban vlerën e afro 100 milion lekëve të vjetra. Ademi ka parashikuar ”Mirembajtje rruge e trotuare ne qytet“me fond limit 9 790 786 (Nentemilion e shtateqind e nentedhjetemije e shtateqind e tetedhjete e gjashte) leke pa tvsh. Një shifër e fryrë që bëhet pikërisht në këtë periudhë kur vemendja dhe kontrolli ndaj është minimal, pasi kriza politike e ka shpërqëndruar jo pak vemendjen nga bashkitë. Të gjitha këto para, Ademi i parashikon që ti hedhe vetëm për proces mirëmbajtje që e përkthyer në gjuhën e thjeshtë i bie mbyllje gropash, e zëvëndësim të ndonjë pllake të thyer, tek –tuk, ku ajo ta shohë të arsyeshme, duke fryrë faturën e shpenzimeve. Në fakt përpara se të ndërmarrë këtë “mega operacion”, kryetarja e bashkisë do të duhet të lirojë hapësirat publike, ku sot për qytetarët në shumë zona është mision i pamundur të ecin në trotuare, e nga ana tjetër rrugët i ka lënë në dorë të firmave të ndryshme private që pasi shkatërrojnë e kryejnë shërbimet e tyre, nuk përmbushin kontratën për ti kthyer në gjendjen e mëparshme. Shembuj të tillë ka plot, që nga ndërtuesit e pallateve, tek kompanitë celulare apo të internetit e kështu me radhë. Pasi ti ketë mbyllur këto, atëherë Ademi duhet me forcë të ndërhyje për të riparuar demet që Shkodres i shkaktoi në 4 vite si në trotuare e rrugë, e duke qënë me e kujdesshme me fondet publike.