‘Të kapim ç’të mundim sa s’kemi ikur’/ Voltana Ademi tender për të lyer shkollat në mes të sezonit të shirave

Viti i ri shkollor 2019 – 2020 po mbush muajin që ka nisur dhe shumë shkolla e nisën aty ku e lanë, me infrastrukturë gjysmake dhe pa asnjë shërbim të kryer nga Bashkia Shkoder, si detyrim ligjor që e ka pushteti vendor infrastrukturën në godinat arsimore. Por tashmë që po hyjmë në muajt e reshjeve dhe shkolla ka filluar, Voltana Ademi që po shijon tenderat e radhës, përpara se të lërë pushtetin, kujtohet të çelë tender për lyrjen e shkollave. E në lojë ka hedhur jo pak por 2.5 milion lekë me objekt “Mirembajtje e zakonshme e objekteve arsimore(bojatisje)” . Se si mund të bojatisësh tani që shkolla ka filluar e reshjet po nisin, këtë e di vetëm Ademi dhe administrata e saj që punët që do të duhej të bëheshin në verë, i lënë për në fund viti, atëherë kur cilësia do të jetë natyrshëm më e ulët dhe kontrolli më i pakët. Në Shkoder kanë qënë vetë drejtorët e shkollave të sistemit parauniversitar që kanë ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve, qoftë edhe të një lyerje të thjeshtë. Tani kryebashkiakja në ikje kujtohet të hedhë tender sa për sy dhe faqe, duke u bërë pjesë e lojës së statistikave, por që në fund nuk sjellin rezultatin e kërkuar dhe paratë nuk shkojnë aty ku realisht është nevoja. Sa shkolla janë në Shkoder pa u vënë dorë, qoftë edhe me një lyerje të thjeshtë? Sa prej tyre e presin dimrin me dritare e dyer të demtuara? Sa prej tyre u pikon çatia sepse nuk kanë një termoizolim? Janë këto vetëm disa nga pyetjet për zonjën bojatisje, që në tetor kujtohet të lyejë shkollat e në dhjetor do të kujtohet t’u bëjë izolimin, ndërsa në pranverë t’u dërgojë ngrohjen!