“Teatri Migjeni” feston 70-vjetorin

E diela e 3 Nentorit do të jetë e veçantë për institucionin më të rëndësishëm kulturor në Shkoder dhe në Shqipëri, teatrin “Migjeni”.

Ai feston plot 70 vite si teatër profesionist, ndonëse mbi supe ka dyfishin e tyre, me plot premiera dhe plejada të tëra artistësh që lartësuan emrin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare ndër vite.

E kjo ditëlindje e veçantë si teatër profesionit, pritet të marrë vlerësime të larta edhe nga vetë kreu i shtetit Ilir Meta, që do t’i bashkohet festimeve të kësaj ditëlindje. Burime për “Shkodranews” nga presidenca bëjnë me dije se Meta do të vlerësojë këtë institucion më titullin më të lartë “Nderi i Kombit” për të gjithë kontributin ndër vite që ka dhënë në artin shqiptar, e duke mbajtur gjallë jetën artistike e kulturore në Shkoder dhe në vend, nga ku dolen emra të shquar që vit pas viti i dhanë më shumë vlera kësaj shtëpie të madhe të artit e kulturës.

Gjithashtu kreu i shtetit pritet që përveç institucionit të teatrit, të vlerësojë edhe disa figura të spikatura që jetojnë, apo të tjerë që kanë ndërruar jetë, por që dhanë kontributin e tyre në këtë institucion.

Mes të dekoruarve mësohet se janë aktorja e estradës profesioniste Drande Xhaj, e ndjera Jolanda Shala, i ndjeri Fatbardh Smaja, si dhe disa personalitete të tjera. Festimet e teatrit “Migjeni” janë parashikuar të nisin me botimin e monografisë kushtuar disa prej këtyre personaliteteve, me autor Xhahid Bushatin, e pasuar me një dokumentar dhe video mapping, që përshkon këtë rrugëtim prej 7 dekadash të teatrit.