Tek Vllaznia ka një çështje për tu zgjidhur

Deri në dhjetor ishte një nga lojtarët më të dalluar të Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Më pas në fund të muajit të vitit të kaluar skuadra shkodrane mori pushimet e fundvitit. Por, pak kush mund ta mendonte se një nga lojtarët e saj nuk do të rikthehej më në Shkodër.

E kështu ka ndodhur me mbrojtësin rumun Dan Ignat. Shkodra.News e lajmëroi e para për largimin e tij nga kuqeblutë, edhe pse deri tani lojtari akoma nuk ka dhënë një arsye të këtij largimi. Në ditët e para të janarit, drejtuesit e prisnin që ai të rikthehej pranë skuadrës, por duke qenë se deri tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë duket se edhe ato janë bindur që Ignat është larguar.

Në fakt, një largim i tillë nuk është i pari tek Vllaznia, pasi edhe më herët ka pasur të tilla largime, pa lajmëruar ose të papritur nga klubi. Por, a do të marrë masa klubi Vllaznia ndaj këtij lojtari apo është një marrëveshje mes të dyja palëve? Nëse Ignat ka kontratë deri në fund të sezonit, atëherë Vllaznia duhet të veprojë, pasi nuk mund të lejojë një largim pa asnjë arsye të një lojtari të saj. /ShkodraNews

Lexo edhe: