Teksa kërkon të afrohet me shkodranë, shihni si lë nam e bëhet qesharake Voltana Ademi

Çuditë nuk kanë të ndalur në Shkodër dhe Voltana Ademi do të hyjë në historinë e këtij qyteti jo vetëm si kryebashkiakja më e dështuar, por edhe si njeriu që shpenzon miliona lekë për projekte absurde. I radhës që vjen në një prej investimeve publike që ka dështuar në të gjitha aspektet në realizim, ku me muaj e muaj të tërë është shtyre e zvarritur, edhe pse për të janë akorduar 380 milion lekë të vjetra, është ai në lagjen “Xhabije”.

Mbi 5 mijë banorë presin ende përmbylljen e ndërhyrjes që nuk dihet a do të mund të finalizohet deri në verë, por ndërkohë për t’i “embëlsuar” kryetarja e bashkisë në një veprim sa qesharak aq edhe të pakuptueshëm, ka zgjedhur t’u mbjellë mandarina dhe limonë. Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse agrumet apo pemët frutore nuk e kanë vendin në mes të pallateve, e kjo nuk shihet në asnjë vend tjetër, përveçse në imagjinatën e Voltana Ademit dhe stafit të saj.

Në qytet nevojiten pemë që shërbejnë për të pastruar ajrin, që çlirojnë sa më shumë oksigjen dhe jo eksperimente të tilla, sepse nëse vërtetë do të stimulojë bujqësinë, bashkia ka plot për të bërë, e jo të bëhet qesharake deri në ekstrem. Të flasësh për suksese mandarinash apo limonesh, Ademit dhe stafit të saj, të paktën zyra e bujqësisë apo ndonjë tjetër pranë saj, duhet t’i mësoje se nuk arrihet duke mbjellë pak pemë mes pallateve, por në 10 njësitë administrative ku ende nuk ka një pikë grumbullimi për fruta perimet, apo për fermerët që nuk stimulohen në asnjë lloj politike vendore, qoftë edhe për një treg të denjë ku të shesin produktet e tjera.

Herës tjetër Ademi duhet ta drejtojë diku tjetër injorancën që e karakterizon, pasi qytetarët nuk ja pranojnë një gjë të tillë. E në fund për transparencën që aq shumë trumbeton, e publikon çmime të marra nga shoqëri anonime, të bëjë publike edhe faturën e këtyre pemëve të mbjella, pasi duket se do të hyjë në histori pas palmave të thara të Lali Erit, me mandarinat dhe limonët e Xhabijes që nuk dihet sa do ta kenë jetëgjatësinë!