Telefonata e fundit me gruan/ “Do iki për në punë, ik se ngatërrova…”/ Zhdukja e mistershme e 40-vjeçarit, ja rrëfimi rrëqethës



Mbetet e mbuluar nga misteri zhdukja e 40-vjeçarit Ermal Ngucaj në qytetin e Vlorës.



Pistat ku është fokusuar grupi hetimor janë në një ngjarje të ndodhur një vit më parë në fshatin Lepenicë, në të kaluarën e tij në Itali dhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur gjatë ditëve të fundit.



Blutë e Vlorës dyshojnë që zhdukja e 40-vjeçarit mund të ketë lidhje me ndonjë konflikt, që mund të ketë pasur kohët e fundit në këtë qytet, ndërsa për këtë vijojnë hetimet për të bërë të mundur gjetjen e sa më shumë provave.

Familjarët e 40-vjeçarit thonë se nuk ka pasur sherre të pasuara, si edhe e hedhin poshtë si shkak të zhdukjes së djalit të tyre. Fejzo dhe Mjaftime Ngucaj dyshojnë se djali i tyre është rrëmbyer.

Ata i kërkojnë Policisë së Vlorës që të nisë kërkimet për gjetjen e Ermal Ngucajt, i zhdukur prej 4 ditësh.

“Djali nuk na përgjigjet në telefon. Kemi ndenjur në gjemba, pyes gruan ku është djali dhe e pyes nëse ke folur. Më thotë që kam folur që të hënën në darkë dhe nuk e di ku është. Atë ditë ndenja dhe në darkë shkova në Vlorë se mos ishte te shtëpia. Vajta, hapa derën nuk ishte. Shkova pyeta në polici nëse e kanë kapur për ndonjë ngatërrim rrugëve. Policia tha nuk e kemi arrestuar. Erdha lart. Dhëndri më tha që do të bëj denoncim. Një djalë më tha që makina e Ermalit është te kthesa që shkon në Mavrovë. Shkova, makina ishte e rregullt, rrobat e tij ishin brenda. Edhe atletet brenda. U thashë mos e prekni makinën, lajmëruam Policinë, që mori makinën dhe nuk e dimë se çfarë bëri. Unë dyshoj se e kanë rrëmbyer djalin. Dyshoj se kanë gënjyer, e kanë nxjerrë nga makina dhe e kanë dëmtuar. Telefonin e ka të mbyllur që të hënën në darkë. Unë dua djalin të gjendet, të futet shteti të kontrollojë me imtësi se mund të jetë dëmtuar djali. E kanë rrëmbyer”, shprehet i ati i 40-vjeçarit të zhdukur.

Sakaq, bashkëshortja e 40-vjeçarit është shprehur se ditën kur është zhdukur, ka folur me të në telefon dhe Ngucaj i ka thënë vetëm pak fjalë.

“Do ndërrohem dhe do iki për në punë, ik se ngatërrova rrugën”, ka qenë biseda mes bashkëshortëve.