“Tërbohet” Voltana Ademi, mbi 400 milion lekë tendera përpara zgjedhjeve!

Voltana Ademi nuk përmbahet dhe në muajt e fundit të mandatit ka hapur thesin e investimeve, duke futur në tender çdo gjë që t’i dalë përpara. Shkodranews ju sjell “skandalin” e radhës të kryetares së bashkisë që pak përpara fushatës elektorale hedh në lojë mbi 400 milion lekë të vjetra për rehabilitim të rrugëve të qytetit dhe njësive administrative, vetëm e vetëm që të përfitojë nga këto para të shkodranëve, e në të njëtën kohë të listojë mes sukseseve të saj imagjinare, edhe këto ndërhyrje që për 3 vite e gjysëm nuk u panë në qytet dhe fshat.

Natyrisht që kjo strategji e Ademit me plot arsyetimin mund të quhet e dalë boje, sepse askush nuk mund të duartrokasë investimet elektorale, që shërbejnë si hi që do t’u hidhet syve qytetareve, kur për pjesën më të madhe të mandatit nuk ke dënjuar ti degjosh, të shohesh nga afër problematikat e panumërta, e aq më pak të pranosh të bësh atë transparencën e vërtetë dhe jo fasadën që proklamon me të madhe sot qytetarja e parë e Shkodres.

Natyrisht që në këtë mes kur në Shkoder ka vdekur opozita e pushtetit lokal, ai që duhet ti marrë frenat në dorë për të hetuar këtë veprimtari deri diku të dyshimtë të bashkisë, duhet të jetë kontrolli i lartë i shtetit. Kjo për faktin e thjeshtë sepse po listohen pa fund investime që kalojnë përmes prokurimit publik, të gjitha të ruajtura në këtë periudhë në fund të mandatit, por që kanë pas hije të mëdha dyshimi që nga pjesmarrësit dhe fituesit e garës, e deri tek cilësia e realizimit të tyre, që natyrisht duke u bërë me këtë shpejtësi, nuk ka sesi të jetë e pranueshme.

Tashmë qytetarët duhet të presin fadromat dhe punëtorët që bashkia do te shpejtojë ti reklamojë në rrjetin e vet social, duke i quajtur punë për qytetin, por që në fakt janë vetëm fasada të Ademit që në fund luan me milionat e arketuara nga taksat e shkodraneve, që për 3 vite e gjysëm nuk panë asnjë punë të hajrit në qytet, e ju duhet të durojnë edhe arrogancën dhe largpamësinë e drejtimit të bashkisë nga Voltana Ademi edhe për disa muaj të tjerë deri pas vulosjes se rezultatit zgjedhor të 30 qershorit 2019./ShkodraNews