Tragjikomedia e neverisë ‘Rilindase’/ Si u ‘mposht’ “Migjeni” nga aktorët e dalë nga farsa e 30 Qershorit

Teatri “Migjeni” për herë të parë u konkurrua fuqishëm për plot 4 orë. Një variete jo nga një teatër profesionist, por një trupë e ardhur nga “tragjedia e 30 qershorit”, që ju dha mundësinë të ulen në karriget e parlamentit të qytetit, aty ku merren vendime të rëndësishme e janë në duar fatet e Shkodrës, shumë njerëzve që nuk kanë lidhje as me politiken dhe as me vizionin.

Nivel i dobët përfaqësimi, diskutime që lënë për të dëshiruar dhe problematika që nuk njihen, por të flasim sa për të thënë që jemi aty. Kjo ishte panorame e një pasdreke tetori, si ajo e së mërkurës së 9 tetorit 2019, nga këshilli bashkiak i Shkodrës.

Natyrisht ky nuk është një përkufizim apo kostum që u rri të gjithëve, pasi aty ka edhe personalitete që në fushën e tyre meritojnë vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen për punën që bëjnë. Por pjesa tjetër që për fat të keq janë shumica, i përkasin një grupi njerëzish që të “kapur” për hunde nga politika, janë marrë nga rruga dhe ulur në karriget e më të rëndësishmit vend, atij ku do të duhej të gjeneronte debati, të përplasesishin idete e të merreshin vendimet më të rëndësishme, që ti sjellin Shkodres zhvillimin e munguar deri më sot.

Kjo nuk ndodh, sepse nuk e duan! Se kanë dashur as ata që sot janë jashtë procesit vendimmarrës për shkak të një kapriçoje, e as këto që bënë zgjedhjet monopartiake, që e mbushën këshillin me këdo emër që u doli para, duke i dhënë mundësi të flasë e marrë vendime për Shkodrën, qytetin që pas 3 dekadash vuan ende bazikën, atë të një zhvillimi të qëndrueshem e me ekonomi që gjeneron, pasi i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet. Kjo nuk do të ndodhe sepse të gjithë po luajnë lojën, ashtu si të majtit dhe të djathtit.

Të parët që po bëjnë gjoja sikur janë të angazhuar për të qënë pranë shqetësimeve që ka qytetit, duke ardhur si autobusi i linjës së unazës në këshill, e të tjerët që i dërgojnë si suflerët e luftës, drejtorët vartës për të raportuar, ndërsa në fund, vendimet merren nga takime okulte mes të medhenjve. Në gjithë këtë mes, Voltana Ademi është ajo që po mundohet të fitojë, nga një lojë që shemb cdo beteje të opozitës, që ndërsa vijon të mos i njohë zgjedhjet e 30 qershorit, në krahun tjetër, një nga drejtueset me të rëndësishme të saj në veriun e vendit, e ka të ulur në një tryezë me “ilegjitimët”.

Fati i keq i Shkodrës dhe shkodraneve do të jetë që së paku një herë në muaj të shohin herë komedi të shëmtuara, e herë skena cirku, nga ata që me votë, patën shansin të provojnë karriget e rëndësishme të vendimmarrjes./ShkodraNews