Trajneri i ri Vllaznisë gati të nis punën, ja kur vjen në Shkodër

Puna tek Vllaznia në basketboll për meshkuj vijon, edhe pse sezoni aktual ka pak javë që është mbyllur. Natyrisht drejtuesit e klubit po punojnë për ndërtimin e skuadrës në edicionin 2019 – 2020. Një kampionat, ku pretendimet do jenë krejtësisht ndryshe.

Kështu, nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, klubi i basketbollit Vllaznia njofton se kandidati kryesorë për të marrë drejtimin e ekipit, Nikolai Gospodinov do të jetë në Shkodër këtë të hënë.

Ai pritet të zhvillojë një vizitë në Shkodër, ku do njihet me infrastrukturën e klubit dhe do të zhvillojë takime edhe me drejtues të sportit në Shkodër.

“NJOFTIM

Në datat 20 – 21 Maj 2019 me ftesë të Shoqatës Sportive të Basketbollit Vllaznia, z.Nikolai Gospodinov, ish-trajner i Levskit të Sofies në Bullgari dhe kandidati kryesorë për të marrë drejtimin e ekipit të basketbollit të Vllaznisë do të realizojë një vizitë në qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj vizite z.Gospodinov do të njihet nga afër me infrastrukturën e klubit si edhe kushtet aktuale të stërvitjes së ekipeve të moshave në basketboll.
Po ashtu janë planifikuar të realizohen kontakte me drejtues lokal të sportit në Shkodër, përfaqësues të institucioneve të edukimit si edhe me komunitetin e trajnerëve të basketbollit, të cilët kontribuojnë në stërvitjen e ekipeve zinxhirë, duke krijuar një ide më të qartë në ndërtimin profesional të Akademisë së Basketbollit Vllaznia.
Ndërkohë, në fund të vizitës do të organizohet edhe një konferencë shtypi me gazetarët e mediave lokale në Shkodër.” – shkruhet në faqen zyrtare të klubit të basketbollit Vllaznia. /ShkodraNews

Lexo edhe: