Trajneri Lika duhet ti gëzohet këtij fakti te Vllaznia

Fitorja ndaj Burrelit me shifrat e thella 3 – 0 vijon të mbajë ekipin e Vllaznisë në krye të tabelës së klasifikimit në Grupin A të Kategorisë së Parë. Por, shkodranët nuk duhet të jenë aspak të qetë pasi Erzeni dhe Dinamo “e kërcënojnë” çdo javë. Madje, këtë fundjavë do të jetë pikërisht Dinamo kundërshtari i radhës i ekipit të Vllaznisë.

Por, një fakt duket se gëzon trajnerin e kuqebluve, Hasan Lika. Bëhet fjalë për golat e shënuar nga Vllaznia. Tek kjo skuadër kanë shënuar të paktën nga një lojtar në secilin repart, natyrisht duke përjashtuar portjerin.

Kështu, listën e golashënuesve të ekipit shkodran e kryeson sulmuesi brazilian Junior me 6 gola në këtë sezon. Më pas vjen kapiteni Gilman Lika me 3 gola, ndërkohë po kaq ka shënuar edhe mesfushori Hajdari. Dy herë ka gjetur rrjetën edhe Zogaj, ndërkohë një gol në këtë sezon ka shënuar edhe mesfushori Tafili.

Por, edhe pse detyra e tyre është që të mbrojnë, dy mbrojtësit Gocaj dhe Ignat kanë bërë edhe rolin e sulmuesi duket shënuar nga një herë në portën kundërshtare. Prandaj, edhe trajneri Lika duhet të ndihet i qetë në këtë pjesë, pasi jo vetëm sulmuesit shënojnë, por edhe lojtarë të reparteve të tjera e një gjë e tillë shpreson që të ndodhë edhe në ndeshjet e ardhshme, ku gara bëhet më e fortë. /ShkodraNews