”Tri LSI-të duhet të shkrihen, Meta të rikthehet në krye”, propozimi i fortë i Lelës. I çuditshëm dhe reagimi i Manjanit

Në momentin kur ditë pas dite ka firo në radhët e LSI-së, jo vetëm të kandidatëve të listave të deputetëve, në rrethin e analistëve po shtrohen disa teza të reja, një prej të cilave është dhe rikthimi i Ilir Metës në politikën aktive.

Përmes një editoriali Alfred Lela shkruan se LSI tashmë është ndarë në tre grupe, dhe është shumë larg partisë së qendrës që ka rol në krijimin e qeverive.

Sipas tij tre fraksionet janë: Një grup parlamentar jashtë, një grup parlamentar brenda, por edhe ‘njeriun e saj’ në krye të shtetit, zotin President.

Në shkrimin e tij Lela thotë që e vetmja zgjidhje që LSI të rimbledhë forcat e saj, është rikthimi i Metës, duke djegur mandatin e presidentit.

‘’Cila është zgjidhja? Ilir Meta duhet të vendosë për ‘strehën’ e pushtetit ose ‘Çadrën e protestës’. Edhe ai e ka një mandat për të djegur. Presidenti është mbi palët, por ai nuk ka pse të jetë neutral me palën që rrezikon ‘t’i zhdukë palët e tjera’, pra pluripartizmin. Tri LSI-të duhe të shkrihen në një dhe vetëm themeluesi i së parës mund ta bëjë”, shkruan Lela.

Po nëse do të ishte vetëm për qëndrimin e analistit, kjo tezë duket krejt normale, pasi ai nuk është pajtuar asnjëherë me një aleancë të afërt mes PD-së dhe LSI-së, po në një mendim me të është dhe Ylli Manjani. Ky i fundit pjesë e Kryesisë së LSI-së shkruan se: Jam krejt dakort me Alfred Lelën.

Manjani dhe më herët ka kërkuar radikalizimin e veprimeve të opozitës, si e vetmja rrugë për ti dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.

SHKRIMI I PLOTË I LELËS:

Ylli Shehu që ‘tradhtoi” Republikanët e Mediut për Socialistët e Integrimit të Metës, duket se u ka lënë targën edhe këtyre, megjithëse në Kuvend e quan veten deputet të LSI. Partia e Kryemadhit ka tashmë një grup parlamentar jashtë, një grup parlamentar brenda, por edhe ‘njeriun e saj’ në krye të shtetit, zotin President.

Jemi në kushtet kur LSi është e ndarë më tresh, një rrezik që është shfaqur i fortë pas ikjes së ish-shefit të saj në pallatin presidencial, në një rokadë të çuditshme që e kapatapultoi nga kryetar Kuvendi në kryetar shteti, si shenjë e fundit e ndarjes me aleatin e katër viteve qeverisje, Edi Ramën.

Pas disa muajve epileptikë kur Meta ishte President i zgjedhur dhe fushatonte për LSI-në, ndodhi edhe një habi tjetër, kur vendin e Petrit Vasilit, të zgjedhur pas vendimit të Metës për të pranuar ofertën presidenciale, e zuri Monika Kryemadhi. Ishte një zgjidhje që atë kohë dukej më e ndershmja: me Metën përpara dhe Kryemadhin pas, Vasili nuk do të konsiderohej asnjëherë si kryetari de facto i partisë.

Meta në presidencë dhe bashkëshortja në një parti që e ka nxjerrë veten jashtë sistemit, në rrugë, ngjan si akti i dytë i një historie. Cilado histori, thonë, kur përsëritet, shfaqet si farsë. Shijen e kësaj kapi edhe eurodeputeti Knut Flekenshtajn kur e përmendi ‘sekretin publik’ të Metës në pushtet dhe ‘Zonjës së parë’ në protestë. Jo se pritet që Flekenshtajn të kishte shije tjetër, megjithatë opozito-skepticizmi i tij nuk ka pse shërbehet me çdo kusht.

Për të tejkaluar Flekenshtnajnin, LSI-së, Kryemadhit, dhe sidomos Metës, u duhet të tejkalojnë vetveten. Kjo parti, e mësuar në dekadën e fundit të përkëdhelet me epitetin e ‘kingmaker’-it (atij që vendos për Mbretin) duhet të zgjohet përballë një realiteti të ri politik. Sistemi duket se i ka bërë dalje (eject) një partie e cila kërkon mesin për të vendosur fatet e pushtetit, ndërkohë që nuk është e gatshme të zhvendoset kur loja politike bëhet në ekstreme.

Kjo u shpërfaq qartë në rastin e Çadrës së opozitës dy vite të shkuara, kur Ilir Meta lëshonte sinjale të përziera. Kur një ditë dukej se do i bashkohej Çadrës, ditën tjetër shfaqej i përzemërt me Ramën. E kështu, në këtë pasiguri, derikur e pa veten në Presidencë me votat e asaj shumice që sot kërkon të rrëzojë gruaja që ka ndarë me të shortin martesor dhe atë politik.

Sa më të shumta bëhen LSI-të, aq më të pakta janë shanset e një rikuperimi, si për forcën e tretë ashtu dhe për ish-shefin e saj. Ëndrra e Ilir Metës për të marrë drejtimin e PS mund t’i kthehet në makthin e shkërmoqjes së LSI në vorbullat ekonomiko-politike që do të prodhojë një mazhorancë e dobët në imazh, por e fortë monetarisht dhe e paskrupullt politikisht.

Cila është zgjidhja? Ilir Meta duhet të vendosë për ‘strehën’ e pushtetit ose ‘Çadrën e protestës’. Edhe ai e ka një mandat për të djegur. Presidenti është mbi palët, por ai nuk ka pse të jetë neutral me palën që rrezikon ‘t’i zhdukë palët e tjera’, pra pluripartizmin.

Tri LSI-të duhe të shkrihen në një dhe vetëm themeluesi i së parës mund ta bëjë.