“Turp për këta politikanë dështakë”! Shpërthen gazetari Dyrnjaja: Mos i lejoni të rinjtë të gënjehen pas mjeteve luksoze të trafikantëve!

Gazetari i njohur, Denis Dyrnjaja, ka shpërthyer ndaj gjithë kësaj klase politike, teksa ka komentuar ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur dje në Shkodër.

Sipas gazetarit, është e turpshme për këta politikanë dështakë, që merren me zëvendësim drejtorësh, në vend që të rrisin qytetet ekonomikisht, në mënyrë që të rinjtë të mos zgjedhin rrugën e gabuar.

Mesazhi i plotë i gazetarit:

Të rrosh a të vdeç?! Të shpëtosh Shkodrën dhe Vlorën nga krimi me ndryshime drejtorësh policie është si të shpresosh të marrësh Mourinhon ose Guardiolën për të nxjerrë Vllazninë dhe Flamurtarin, Kampion Europe në Champions League.

Në qytete me papunësi dhe pa perspektivë lulëzon vetëm krimi dhe këtë ska polici që e mban dhe e ndal. Duhet ngritur qytetet ekonomikisht. Duhen krijuar ide punësimi jo me paga qesharake 300 mijë lekë që vlejnë për statistikat e INSTAT-it. Por duhen krijuar mundësi punësimi për paga dinjitoze që njerëzit të fillojnë të shohim me shpresë nga puna, jo si te bëhen grabitqarë e kriminelë.

Çfarë do bëjë një adoleshent në Shkodër, Vlorë e gjetkë kur nuk di se ç’e pret nesër?! Kur sheh trafikantë me makina luksoze dhe vetë në xhep ska para as për një kafe. Natyrisht do mendojë se rruga më e shkurtër është të gjejë një pistoletë dhe të jetë i gatshëm të heqë qafe këdo për 5 mijë euro.

Kjo është Shqipëria e vërtetë jo vizitat me organizim në fabrika fasone ku u bëhet jehonë punësimit dhe paguhen njerëzit me 30 mijë lekë pagë në muaj, fyese dhe përçudnuese për çdo kënd.

Duhet rritur mirëqenia dhe ekonomia familjare që të ulet krimi. Nuk bëjnë derman rokadat e drejtorëve të policisë, kur policët vetë paguhen si fakirë.

Më siguri ato 40 milion eurot e unazës së re do i bënin shumë punë Shkodrës nëse me to ndërtohej dhe rivihej në punë Fabrika e telit me teknologji bashkëkohore dhe ku mund të punësoheshin e paguheshin 1 mijë persona.

Po këtu se ka mendjen kush te gjejë rrugët për të begatuar por për ta rrënuar popullin.

Turp për të gjithë këta politikanë dështakë, që merren jo negociatat, jo liria, jo demokracia. Të gjitha i kanë dokrra. Të gjitha i kanë vetëm për interesin e tyre dhe sërës së tyre, ata të djeshmit, këta të sotmit dhe ata që presin nesër.

Liria dhe demokracia vjen natyrshëm kur punon dhe mendon për progresin e vendit dhe popullit. Prandaj shtetet e tjerë kanë bërë histori se i kanë drejtuar vizionarët, jo palaçot, mashtruesit dhe politikanët arkaikë dhe anadollakë. Ditë më të këqija do vijnë për këtë vend të bekuar nga zoti për natyrën dhe të mallkuar e keqpërdorur nga njerëzit e vet!