Turpi i ARRSH, ndërhyrje fasadë dhe hesht për rrugët që marrin çdo ditë jetë njerëzish!

Më shumë se paradoksal mund të duket veprimi i autoritetit rrugor shqiptar, i cili nuk heziton të publikojë në facebook edhe disa ndërhyrje të rëndomta mbi rrugët dhe urat e shkatërruara të Shqipërisë, ndërsa hesht përballë mos zbatimit të kontratave miliona euroshe, apo kur flitet për sigurinë rrugore.

Prej ditësh në qarkun Shkoder po ndërhyn në riparimin e urës së Bahcallekut dhe disa urave të tjera, për fugat e dëmtuara dhe vendosjen e parmakëve anësor, që prej kohësh ishin në gjendje të mjerueshme, por në asnjë rresht ky autoritet nuk denjon të shkruaje mbi jetet e pafajshme që po marrin aksidentet rrugore në akset që i ka nën kontraktim.

I tillë është edhe rasti i Shkoder – Han i Hotit, ku hidhen miliona para në vit për mirëmbjatjen e tij, por siguria është nën kuotat minimale dhe pa diskutim mund të quhet një nga njollat e zeza të qarkut. Në pak ditë ajo rrugë mori 3 jetë njerëzish dhe la të plagosur 2 shtetas të tjerë, por të gjithë heshten, si ARRSH ashtu edhe ministria e linjës. Por në fund të vitit dhe fillimin e vitit të ri shpejtojnë të firmosin tenderat miliona lekesh për mirëmbajtje dhe rritje të parametrave të sigurisë që askund nuk u panë në gjithë këto vite.

Natën rruga është tejet e rrezikshme për tu përshkuar pasi kudo mbizotëron errësira, ndërsa nuk ka as mbi apo nënkalime në gjithë kilometrat e saj deri në kufirin me Malin e Zi, ndonëse kalon përmes zonave të banuara. Siç duket për institucionet me të rëndësishme vijojnë të mbesin fasadat sesa zgjidhjet konkrete, aq më pak nëse bëhet fjalë për jetë njerëzish apo jo. Rruga Shkoder – Han i Hotit mbetet një nga më të rëndësishmet në qarkun e Shkodres dhe në mbarë vendin, pasi është e vetmja urë lidhese me Europën në rrugë tokësore që shfrytëzohet nga mjetet e tonazhit të lartë për hyrje – daljet e mallrave dhe shkëmbimet tregtare.

E njohur ndryshe si arteria pjesë e koridorit Adriatiko – Jonian, ajo sot do të duhej të ishte në të tjera standarte sigurie dhe cilësie, por për fat të keq nuk plotëson as elementet më minimal të sigurisë, ndërsa ARRSH vijon fasadën e publikimeve në rrjetet sociale të lloj – lloj ndërhyrjesh qesharake që në një shtet normal do të duheshin kryer pa bërë zë.