Turpi i politikës shqiptare/ Flamur Noka dhe Ridvan Bode ‘të pastrehë’ me makina 40 mijë euroshe dhe vila

Politikanët përfitojnë padrejtësisht duke u hequr si të pastrehë në vend të familjeve të varfra, drejtësia asnjë hap për ndëshkimin e përgjegjësve.

Një numër i madh politikanësh, gjyqtarësh dhe prokurorësh kanë abuzuar, duke përfituar kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave, për blerjen e shtëpive, duke u hequr në letra si të pastrehë. Teksa qindra familje shqiptare janë vërtetë të pastreha dhe në kushte të vështira ekonomike, këta pushtetarët kanë përfituar në vend të tyre, duke blerë shtëpi me kredi me interes zero ose minimal, edhe pse kanë pasur disa banesa të tjera në pronësi. Për këtë abuzim Vetingu ‘dogji’ disa gjyqtarë, por politikanëve që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nuk u ka ‘hyrë gjemb në këmbë’. Ky grup i madh politikanësh përfitojnë padrejtësisht para nga taksapaguesit shqiptarë, ndërkohë që deri më sot drejtësia nuk ka bërë asnjë hetim për këtë skandal flagrant.

Sot po marrim si shembull dy politikanë. Flamur Nokën dhe Ridvan Boden. Flamur Noka ka marrë kredi si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave për blerje banese në vitin 2012, një vit para se të rrëzohej Berisha nga pushteti. Noka ka marrë kredi 5 000 000 lekë nga Enti Kombëtar i Banesave, me afat shlyerje 25 vjet. Tre vjet më vonë, Flamur Noka blen makinë me vlerë të deklaruar 40 mijë euro. Një vit më vonë blen garazh me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 22 mijë euro, në Rr. “Sami Frashëri”, Tiranë, duke mos deklaruar se ku i ka marrë këto para. Gjithashtu, një viti më vonë, bashkëshortja e tij blen automjet me vlerë 6 milionë lekë. Dy vjet më vonë, pra në vitin 2014, shet një makinë me vlerë 7 mijë euro dhe një garazh me vlerë 10 milionë lekë. Në vitin 2017 ka shitur një tjetër makinë tip ‘Volkswagen’, 2 500 euro.

Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, ka marrë një kredi me interes zero si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, në vitin 2000. Kredinë e ka shlyer përfundimisht në vitin 2013. Bode ka përfituar si i pastrehë, por deklaron një vilë në Korçë, disa apartamente dhe makina. Vetëm nga dhënia me qira e njërës nga shtëpitë Bode ka deklaruar 18 mijë euro të ardhura. Ai deklaron paga të majme nga vajza, gruaja dhe djali. Bode deklaron rivlerësim të një apartamenti me vlerën 270 milionë lekë. Edhe pse Bode ka përfituar si i pastrehë, bashkëshortja e tij Jola Bode, deklarohet pronare e një apartamenti banimi në zonën kadastrale 8270, Tiranë, me vlerë 66 milionë lekë, e një apartamenti tjetër banimi me vlerë 175 mijë euro si dhe e një garazhi me vlerë 7 790 euro. Vajza e Bodes ka blerë makinë rreth 10 milionë lekë, vetë Bode deklaron makinë 15 milionë lekë. Gjithashtu makina deklarojnë edhe bashkëshortja dhe vajza./Pamfleti