U fol se e emëroi Jozefina, zbulohet gënjeshtra e madhe. Ja kush e punësoi fillimisht Valdrin Pjetrin

Valdrin Pjetri, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, dje dha dorëheqjen pas akuzave të shumta të Partisë Demokratike dhe publikimit të një dosje të një dënimi. Në fakt një dosje për të cilen ai tha se ishte keqinterpretuar dhe për të cilën tashmë kishte filluar një betejë ligjore në Itali, për zbardhjen deri në fund të së vërtetës. Një e vërtetë që nuk i shërben më për jetën e tij politike, por vetëm për atë private dhe të familjarëve të tij.

Por, kohët e fundit ka pasur akuza të shumta, se kush ishte Valdrin Pjetri, një njeri që kishte filluar të bënte karrierë që nga viti 2010, sapo ishte kthyer nga shkolla dhe kishte ecur duke u emëruar edhe si  zyrtar i lartë në administratën e qeverisë “Berisha”.

Ai ishte emëruar si drejtor i aseteve të antimafias, një strukturë e fortë, ç’ka do të ishte një skandal nëse do të zbulohej zbulohej më parë se një drejtor i antimafias ishte i dënuar dhe kishte probleme me ligjin.

Por, gjithësesi në media dhe në opinionin publik ka pasur shumë aludime dhe abuzime, se kush e kishte sjellë Valdrin Pjetrin në PD.

Në fakt ka pasur shumë akuza të nisura nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, të kontrolluara nga njerëzit e Lulzim Bashës, pas kritikave të forta që ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli bëri ndaj kreut të opozitës.

Gjithçka ishte me një qëllim. Ti faturohej zonjës Topalli emërimi i Valdrin Pjetrit si drejtor gjatë kohës së qeverisjes së PD-së. Lidhja ishte një dhe vetëm një, Luigj Pjetri, babai i Valdrinit, i cili është shkodran. Pra, një shkodran që njihte një shkodrane që i kishte bërë një nder për t’i emëruar djalin në punë.

Në fakt e gjitha kjo ishte një sajesë. Ishte një gënjeshtër nga ato të bukurat digjitale që stimulohen shumë nga call centerat apo listëpagesat e Lulzim Bashës, të cilat paguajnë gazetarë nëpërmjet portaleve të ndryshme për të ngritur tymnaja dhe për të shpëtuar Lulin nga akuzat.

Por, cila është e vërteta?!

Mjafton ta pyesësh vetë Valdrinin, mjafton të pyesësh miqtë e tij, mjafton të pyesësh në PD apo në institucionet ku ai ka punuar. Ai ka deklaruar që atëherë se emërimi i tij ka ardhur nga Alfred Rushaj, i cili ishte zv.ministri i Financave. Zoti Rushaj, dikur para se të bëhej zv.ministër kishte punuar në KESH, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Zoti Andis Harasani. Në atë kohë, Zoti Pjetri ishte zv.drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, pra miq që kishin punuar në institucione së bashku dhe njiheshin mjaft mirë me njëri-tjetrin.

Zoti Pjetri mesa duket i ka kërkuar mikut të tij, dikur drejtor në KESH, që ta ndihmonte për emërimin e djalit të tij dhe kështu ka ndodhur vërtetë. Valdrin Pjetri është emëruar në një nga institucionet e atëhershme me ndërhyrjen direkte dhe të vetme të Zotit Alfred Rushaj dhe të askujt tjetër.

Kjo si një nder për një miqësi familjare të Alfred Rushaj me Luigj Pjetrin, babain e Valdrin Pjetrit. Kjo është e vërteta dhe asgjë më shumë sesa kaq. Të gjitha të tjerat janë gënjeshtra banale, të stisura nga kazani i Republikës së re, atje ku “gatuajnë” shumë gazetarë me kokën lart dhe këmbët poshtë, apo kokën poshtë dhe këmbët lart, por kjo ka pak rëndësi.

E vërteta është një dhe vetëm një. Zyra e shtypit e PD-së u përpoq që ta mbulojë të gjithë këtë skandal, pasi Alfred Rushaj, njeriu që ka emëruar Valdrin Pjetrin, aktualisht është anëtar i kryesisë së PD-së, si shefi i burimeve financiare të kësaj partie. Dhe në fakt njeriu që ka vënë Valdrin Pjetrin, të cilin sot e akuzojnë se është dënuar në vitin 2003, është anëtar i kryesisë së PD-së dhe quhet Alfred Rushaj.

Pra, Zonja Topalli duket se nuk ka të bëjë fare me këtë mesele dhe gjithçka ka qënë një stisje për të ngritur në tymnajë dhe për t’i drejtuar asaj akuza. Por, mesa duket e vërteta vonon, por nuk harron.

Tashmë pritet një përgjigje zyrtare nga PD-ja. A do ta pranojë dhe a do të flasë Lulzim Basha për Alfred Rushajn që ka emëruar Valdrin Pjetrin. A do ta shkarkojë Lulzim Basha Alfred Rushajn pas këtij skandali, pasi përgjegjësia ashtu siç i bie Edi Ramës që e kandidoi për kryetar bashkie, i bie edhe Alfred Rushajt që e emëroi drejtor në një institucion të rëndësishëm.