U shkarkua nga Rama, por Zef Hila nuk ndalet, zbulohen tenderat me vlerat marramendëse

Edhe pse i shkarkuar me firme të kryeministrit Edi Rama dhe më shumë se gjysmën e stafit në kërkim, Zef Hila nuk ndalet në tenderat që çel në prokurimet publike. Dy të fundit që bashkia Vau Dejes ka hapur këtë 8 Korrik 2019, kapin vlerën e mbi 112 milion lekëve të vjetra.

I pari për supervizim punimesh në ujesjellësin e Vau Dejesit me vlerë 1 milion e 148 mijë e 534 lekë, ndërsa tenderi i dytë për sistemim oborri, terrene sportive në disa prej shkollave 9 vjecare si: Rranxa, Fshat i ri, Nenshat, Barbullush dhe Kukël, që kapin vlerën e 11 milion e 516 mijë e 666 lekë.

Duket se ditët e fundit të pushtetit po i shërbejnë edhe bashkive që nuk e njohin 30 qershorin si datë të zgjedhjeve vendore, për të “shprazur” arkën e bashkive që drejtojnë, në rast të një marrje forcërisht nga ana e fituesve të majtë. E njëjta praktikë shihet edhe nga bashki të tjera që drejtohen prej partisë demokratike, apo forcave opozitare, që po shfrytëzojnë limitet që u jep ligji për të kryer tenderime publike me vlera financiare që shpesh kapin fatura miliona lekë.
Praktikë kjo që po ndiqet edhe nga bashkia Shkoder e drejtuar nga Voltana Ademi. Por në Vau Dejes specifika lidhet me faktin se kush janë firmëtarët në rast të nisjes së proçedurave të lidhjes së kontratës për sa kohë që kryetari është i shkarkuar nga këshilli i ministrave dhe nënkryetari sëbashku me sekretarin në kërkim, pasi janë proceduar për djegien e KZAZ nr 6.

Dilema e madhe pritet të marrë përgjigje vetëm pas pak ditësh kur të shpallet fituesi dhe të vijë momenti i lidhjes së kontratës, pasi deri më tani nga burime brenda bashkisë Vau Dejes, thuhet se përtej faktit që kryeministri Rama e ka shkarkuar, Zef Hila vijon normalisht punën pa u shqetësuar për këtë fakt.