Urdhër i parë i Sandër Lleshit në krye të ministrisë, s’gjen zbatim në Shkodër

Ndryshe nga sa ndodhi me gjendjen e krijuar në Porto Romano me mbetjet urbane, në Shkodër urdhri i parë i dhënë nga zv/ministri i Brendshëm Sandër Lleshi, nuk ka gjetur zbatim dhe mbeturinat i sheh kudo. Gjatë natës djegiet nuk mungojnë duke përhapur në territor tym kancerogjen dhe aromë kundërmuese. Janë me dhjetëra raste që policisë, bashkisë dhe task forcës në prefekturë nuk i bien në sy, por i kalojnë në heshtje.

Nëse deri përpara pak kohësh institucioni i prefektit reagonte, sot ai është inegzistent dhe as që ja di për situatat që kalon qyteti. Duke qenë kontrollor dhe zëri i qeverisë në Shkodër, ai natyrisht do të duhej te ishte me i fortë dhe kërkues llogarie për bashkinë, por fatkeqësisht gjumi e ka pllakosur. Prefekti ka për detyrë “ti dale Zot” qytetit dhe qytetarëve kur nuk marrin shërbim apo cënohen disa rregulla që të shkruara e zeza mbi të bardhë përcaktojnë mënyrën se si institucionet duhet të veprojnë. Neglizhenca e prefekturës e bën atë po aq fajtore sa inspektorati i mjedisit që nuk kryen detyrën që i takon, apo bashkia Shkodër që hesht dhe nuk flet, pasi për të marrë masa është luks i tepërt të presësh prej tyre.

Si për çdo çështje edhe për mjedisin prefekti është i detyruar te mbledhë komisionin përkatës dhe shtabin e emergjencave kur situata është jashtë normales dhe ne Shkodër e tille është ne shume zona. Shkodranews i ka denoncuar dhe me dhjetëra raste i ka bere publike ne shërbim te se vërtetës dhe pritjes se një reagimi qe sjell marrje te masave, por qe fatkeqësisht nuk po shihen nga institucionet vendore përgjegjëse për ketë fushe. Ata heshtin përballe shkeljes së ligjit dhe dëmit prandaj mbetet për tu parë se si do të reagohet pas urdhrit të Lleshit. Natyrisht në ditët në vijim ne do të sjellim të tjera raste për ti zgjuar këto institucione që ende vijojnë të jenë në gjumin letargjik.