Valdrin Pjetri nis fushatën si Don Kishoti dhe kërcënon shkodranët: Nuk guxon kush t’i prishë zgjedhjet

Ashtu si don Kishoti me mullinjtë e erës, edhe kandidati socialist për bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. (Këto të fundit gjithmonë nëse do të zhvillohen). Daljen e parë kandidati për “dhënderr” zgjodhi ta bëjë përballë gazetarëve, duke iu përgjigjur pyetjeve të këtyre të fundit.

Por natyrisht që për të gjithë që e panë dhe dëgjuan kuptuan shumëçka nga Pjetri, i cili së pari la të kuptohet se njeh shumë pak për të mos thënë aspak strukturat e partisë dhe së dyti realitetin e territorit që kërkon të marrë në administrim.

“Shkodrani” i ardhur nga Tirana nxitoi të lexojë investimet që qeveria ka parashikuar për Shkodrën, si dhe projektet e zbatuara nga financimet me të huajt, por në asnjë rresht nuk përmendi çfarë paraprakisht kishte menduar ai për këtë qytet, duke qenë se e ka ditur fare mirë se do të ishte kandidat zyrtar. Pjetri madje e pranoi se karrigen e prefektit e kishte marrë për tu promovuar, që shkodranët ta njihnin birin e tyre, që më herët nuk ka mundur tu bëhet i njohur. Pra me vetëdije ai kishte pranuar që karriga e të dërguarit të lartë të qeverisë të kthehej në eksperimentale, vetëm e vetëm që tek votuesit e Shkodrës të mund të njihej dhe këtë e bëri duke kryer rokada, e duke “kërcënuar” drejtoritë rajonale.

Benjamini i Edi Ramës nuk hezitoi të flasë me nota të forta kritike për kandidatët paraardhës të socialistëve për bashkinë Shkodër, por vete nuk guxoi të thotë qoftë një investim të vetëm që ka menduar për këtë qytet me një shtrirje të madhe gjeografike dhe nevoja tejet të medha.

E në fund, Pjetri as me shumë dhe as më pak guxoi të shkojë deri aty sa të deklarojë përmes notave kërcenuese se zgjedhjet e 30 Qershorit nuk guxon ti kërcënoje askush, e aq më pak ti prek.

Më qesharake në daljen e tij të parë prezantuese ishte fakti se si një kandidat që garon i vetëm dhe merr shpatën e fitimtarit përpara kohe i përgjigjet qytetarëve që e komentojnë negativisht që ti dalin përballë e të sqarojnë pakënaqësitë apo paqartësitë që ato kanë./ShkodraNews