Vazhdon ‘gjumi i thellë’ në PS-në e Shkodrës, por ‘tërmeti’ po përgatitet në drejtoritë rajonale



Edhe shtatori po mbyllet pa ndryshime për socialistët e Shkodres të cilët kanë rënë në një gjum të thellë, nga i cili mesa duket po e kanë të vështirë të zgjohen. Kryeministri Rama nuk u ka caktuar një datë për asamblenë, por me sa duket tetori pritet të vijë me zhvillime të forta për ta. Jo vetëm një analizë e gjendjes së deges, por edhe ndryshimet e para në disa drejtori rajonale janë parashikuar të behen në kuadër të përformancës. Kështu burimet saktësojnë se zyra e punës, drejtoria e patentave, sigurimet shoqërore, OSHEE, AKU, Doganat dhe ISHSH pritet të jenë të parat drejtori që do të kalojnë në analizë e ku do të vendoset më pas edhe fati i drejtuesve të tyre nëse do të vazhdojnë të mbajnë postin apo do të largohen për të patur emerime të reja. Gjithçka do të bëhet në koordinim me të deleguarin e qarkut, por duke mos mbetur jashtë loje edhe ministritë e linjës që kanë fjalën e fundit të levizjeve, për shkak se një pjesë e drejtuesve gëzojnë statusin e nënpunësit. Ajo që do të jetë një pikë e fortë në përformancën e tyre është angazhimi që kanë patur këto muaj në parti dhe analiza e detajuar mund të jetë edhe pika e dobët për shumë prej tyre, pasi pikërisht roli në degën e PS ka qënë inekzistent. I deleguari Beqja është informuar për këtë gjë dhe pikërisht në këto javë ka nisur edhe ndërhyrjet duke bërë ato rregullime që ai i ka menduar si më të drejta. “Pa angazhim politik askush nuk do të mbajë më post”, mësohet të ketë qënë porosia që i është dhënë nga partia socialiste qendrore si Beqajt ashtu edhe të gjithë deputeteve të qarkut që do të punojnë me të për ringirtjen e deges dhe të të gjitha strukturave, për të qënë gati për zgjedhjet e 2021-it. Socialistët kanë më shumë se 1 vit pa kryetar dhe pa strukturë drejtuese partie, ndërsa ish koordinatorët rajonal zhvilluan vetëm dy mbledhje e më pas u larguan duke hequr dorë nga menaxhimi i gjendjes së rëndë që u krijuar në këtë forcë politike ku mosmarrëveshjet dhe përplasjet ishin kryefjalë.