Veleçiku do e ketë të vështirë të shtunën, ja deklarata nga kampi kundërshtar

Të shtunën, ekipi i Veleçikut luan ndeshjen e fundit të kampionatit për këtë sezon. Një ndeshje që është edhe tepër vendimtare për fatet e koplikasve.

Kështu, koplikasit do të përballen në transfertë me ekipin e Shënkollit. Një ndeshje që mund të ishte thjesht për formalitet për Veleçikun nëse do kishte barazuar ndaj Burrelit, por duke qenë se mori një humbje, tashmë i duhet të mos regjistrojë një tjetër pasi në të kundërt do të luajë play-off me ekipin e vendit të dytë të Kategorisë së Dytë.

Në prag të ndeshjes me koplikasit ka folur edhe golashënuesi i Shënkollit, Leonardo Pergjini. Në një prononcim për Sportekspres, ai thotë: “Disa javë më parë Shënkolli ishte në pozita të vështira mbijetese, ndërsa tani kemi përpara alternativën e sezonit, ti largohemi vendit të parafundit të zonën Play-out në grupin tonë (A). Janë 90 minutat e fundit të sezonit dhe sfida me Veleçikun është një ndeshje e veçantë për ne, sepse ajo mbetet si finalja e fundit për mbijetesë. Ne do të luajmë vetëm për fitore.” /ShkodraNews