Veleçiku mori një humbje, por ja veprimi i lojtarëve pas ndeshjes ( FOTO )

Në kampin koplikas ishin përgatitur për një fitore ndaj Burrelit ose të paktën për një barazim ishin të sigurtë. Por, në fund rezultati ishte në favor të matjanëve, të cilët morën një fitore të vuajtur 0 -1 ndaj Veleçikut në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Një humbje që ndërlikon tashmë pozitat e ekipit të Besnik Dulit. Skuadra e Veleçikut ndodhet në vendin e dytë të grupit A play-out. Por, sfidën e fundit të kampionatit e luan përballë Shënkollit, i cili në rast fitore e parakalon në rënditje. Në rast se fiton edhe Iliria ndaj Vorës, atëherë koplikasit do të detyrohen të luajnë një ndeshje shtesë ndaj vendit të dytë në grupin A të Kategorisë së Dytë.

Prandaj, humbja ndaj Burrelit bën që koplikasit të rrezikojnë një sezon përgjithësisht të mirë në Kategorinë e Parë. Zhgënjimi është shfaqur edhe tek lojtarët e kësaj skuadre.

Në foton e mëposhtme shihen katër lojtarë të Veleçikut që qëndrojnë në fushë të mërzitur, edhe pse loja kishtë përfunduar. Duhej ndërhyrja e trajnerit Duli për tu dhënë kurajo lojtarëve të tij, edhe pse asgjë nuk është mbyllur, por tashmë vështirësohet rruga për ekipin e Veleçikut. /ShkodraNews