Veleçiku nuk ia del në takimin e sotëm, por ja kë akuzon trajneri i saj

Veleçiku nuk ia ka dalë që të marrë një fitore në takimin e radhës në Kategorinë e Parë. Pas fitores me Vorën, koplikasit janë mposhtur në transfertë më rezultatin e ngushtë 1 – 0 nga Burreli. Një humbje që ndërlikon pozitat e skuadres koplikase.

Rezultati do të vendosej nga një penallti e akorduar për vendasit, që kthehet në gol nga Kurbneshi. Veleçiku mundohet të reagojë dhe në një aksion Toma del përballë portjerit por ky i fundit nuk e lejon të barazojë shifrat. Veleçiku arrin të shënojë në fund të takimit me Çokaj, por për gjyqtarin kryesor është në pozicion jashtë loje.

Me këtë humbje Veleçiku zbret në vendin e 8-të me 16 pikë, 5 më shumë se Shënkolli i vendit të parafundit.

Ndërkohë pas ndeshjes, trajneri i koplikasve Besnik Duli ka pasur kontestime për gjykimin, ku është shprehur: “Kishim ardhur në Burrel të luajmë futboll, të shprehemi në fushë, pasi ne jemi ata që kemi komandën e grupit, pavarësisht rezultatit të sotëm. Të dyja skuadrat bënë një lojë mjaft të mirë. Por, vërejtja ime shkon për gjykimin. Është hera e tretë që ky gjyqtar na drejton dhe ne pësojmë humbje psikologjike edhe me rezultat. Unë i bëj thirrje FSHF, që duke e ditur që janë edhe 5 finale deri në fund, të sjell arbritra më të ndërgjegjshëm dhe profesional. Të mos luajnë me djersën e ekipeve gjatë gjithë kampionatit.” /ShkodraNews

Lexo edhe: