“Vendosëm abstenim, por Balla i bleu si bagëti deputetët e opozitës”, Maliqi tregon ‘prapaskenat’ e votimit kundër Metës

Deputeti Lefter Maliqi në një status të fortë në Facebook ka treguar të gjitha prapaskenat e turpshme sipas tij në Kuvend ditën kur u votua rezoluta ndaj dekretit të Presidentit Meta për shfuqizimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor.

“Parlament ilegjitim, turp, skandal,100 deputetë votuan pro rezolutës për shkarkimin e Presidentit. Kjo tregon qe Opozita e Re ka pëlqyer joshjet ndërhyrjet, por votimi tregoi këtë të vërtetë pasi në mënyrë unanime vendosëm para votimit abstenim, por Balla kërkoi 30 minuta pushim dhe ndërhyrjet, joshjet bënë bashkimin e madh rilindas me 100 deputetë”, shkruan Maliqi.

Gjithashtu ky i fundit i kërkon kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla t’i marrë nga krahu i mazhorancës qeverisëse, sic i quan ai të gjithë “deputetët e shitur të opozitës”.

“Idealet opozitare nuk mund te qelben nga korrupsioni politik i këtyre të pamoral që shiten e joshen dhe s’përfaqësojnë as opozitën dhe as vota në popull përveç rreth 10 deputetëve që votuan kundër e abstenuan sepse s’pranuan joshje dhe rreshtim nga Rilindja e krimit dhe bandave që i vendosin në lista deputetesh. Kush është burrë që do të bëjë opozitë do rrijë në atë krah të tjerët që shiten si bagëti të shkojnë menjëherë të ulen si hauri i hajdutëve të rilindjes”.

Kujtojmë se dekreti i Metës u hodh poshtë nga 100 deputetë, 7 ishin kundër dhe 2 abstenuan