Vendosën për Dritan Dajtin, kryqëzohen gjyqtarët e Shkodrës, çfarë i pret ata nga …

3 gjyqtarët e Shkodrës, Fuat Vjerdha, Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, që ishin në 5-shen e trupës gjykuese që pranuan gjykimin e shkurtuar të krimeve të rënda për Dritan Dajtin, rrezikojnë seriozisht që t’i japin fund karrierës së tyre në sistemin e drejtësisë. Lumi i reagimeve për vendimin e tyre, së fundmi edhe nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ai i brendshëm Sander Lleshi, që paralajmëruan në të njëjtën kohë procedim ndaj tyre dhe mbështeten prokurorinë për rekurs në gjykatën e lartë, pritet që të pasohet me një njollë të zezë dhe shumë të madhe për këto 3 gjyqtarë që janë në prag të kalimit në vetting.

Natyrisht që ky vendim ju ka vënë pas shumë pikëpyetje dhe ata në dosjet e tyre i shtojnë karrieres së tyre një hije të fortë e të dyshimtë, që nuk pritet të kalojë aspak lehtë qoftë nga komisioni i pavarur i kualifikimit dhe ONM, që monitoron të gjithë këtë proçes. Në gjithë këto orë kur zhurma e krijuar është e madhe, ata kanë zgjedhur të heshtin e të fshihen si struci, në vend që të flisnin e të sqaronin në gjuhën e ligjit, gjithmonë nëse ky i fundit qëndron në krahun e tyre, për vendimin që kanë marrë.

Nuk kanë preferuar ta bëjnë, e me siguri tashmë që telashet u shtohen, pak shanse ka ta bëjnë një veprim të tillë, që mbetet sa i pakuptueshëm, aq edhe i mbushur me pikepyetje, pasi Dajti numëron 5 vrasje, një plagosje, armë mbajtje pa lejë, falsifikim dokumentesh dhe vulave si dhe mbajtjes pa lejë të uniformës. Tashmë beteja ligjore mes prokurorisë dhe gjykatës së apelit të krimeve të rënda, ku treshja e gjyqtarëve të Shkodres janë të komanduar ka nisur dhe pritet të shihet se kush do të dalë fitues, vendimi i tyre apo kërkesa e organit të akuzës që nuk tërhiqet nga burgimi përjetë.

Pas këtij skandali, me dhjetra qytetarë në rrjetet sociale dhe komentues në mediat informative kanë lëshuar një lumë akuzash ndaj këtyre gjyqtareve, duke ngritur edhe pyetjen, se a do të arrijnë që me milionat e tyre të blejnë edhe vettingun, e të mbesin në sistem për të marrë të tjera vendime skandaloze.