Vijon “telenovela” by pass i Shkodrës, projekti që po dështon dhe po krijon katastrofën

Në prillin e 2019-es, ish drejtoresha e ARRSH Sonila Qato inspektoi nga afër punimet e By pass-it të Shkodres, nga ku përvecse foli për ecurinë e tyre, premtoi përmbyllje sa më parë të kësaj sage të gjatë që prej afro 9 vitesh, në Shkoder është cilësuar ndryshe si “telenovela” by pass. Por prej asaj dite e deri më sot, telenoveles i kanë ngecur xhirimet dhe përfundimi i investimit duket një ditë e larget. Fjalët i mori era ashtu si edhe kompensimin financiar të familjeve që ju është marrë toka për ndërtimin e kësaj rruge, që prej 6 vitesh vetëm gënjehen nga qeveria, pa arritur të përfitojnë asnjë qindarkë. Tashmë në by pass mbeturinat lulëzojnë kudo, duke ja zënë vendin asfaltit dhe pjesës tjetër të punimeve që do të duhej të përmbyllnin këtë vepër. Askush nuk mban përgjegjesi për ndërprerjen e punës dhe as për katastrofën mjedisore që shkakton një ndotje e tillë ngjitur me ujrat e liqenit të Shkodres, zonë e mbrojtur Ramsar. Institucioni i prefektit që do të duhej të ishte i pari që të reagonte me të gjitha instrumentat ligjor, është tërësisht inekzistent, ashtu si edhe inspektoriati i mjedisit dhe vetë bashkia e Shkodres, që në fund të fundit e ka në territorin e saj dhe ndotja është kosto për të. Të bëra të gjitha njëzëri këto institucione po punojnë në heshtje për shkatërrimin e biodiversitetit në këtë zonë dhe as që shqetësohen për shpërdorimin masiv që u bëhët parave te taksapaguesve. Bypass i Shkodrës loti 1, është një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën dhe transportin, i cili anashkalon kalimin përmes qytetit duke lidhur aksin Tiranë-Shkodër me aksin Shkodër-Hani i Hotit. Sikur të mos mjaftonte ndotja, në by pass kanë shpërthyer edhe ujrat e zeza, qe me nisjen e reshjeve të shiut e bëjnë situatën të rëndë, e burim për përhapje të ndonjë epidemie. Nga një vepër për të mbrojtur Shkodrën nga përmbytjet, sot By pass-i është kthyer në një vepër që po e shkatërron natyrën dhe biodiversitetin e Shkodres, e madje po përmbyt disa lagje ngjitur me të. Shkodranews