Vizita e Ramës, si dëshmi e pengmarrjes së Shkodrës nga dashuri-urrejtja me Voltana Ademin



Erdhi u duk, e pa, premtoi dhe iku! Ishte ky itinerari i kryeministrit Shqiptar Edi Rama, që pas afro 8 vitesh që drejton vendin, u kujtua për By pass-in e Shkodres që ende nuk ka përfunduar. Paradoksalisht sot kur ajo vepër do të duhej të ishte në shërbim të qytetarëve, është ende një kantier ndërtimi që nuk i dihet fundi. Por për kryeministrin ishte me rëndësi të sulmonte ish qeverinë Berisha, atë që ka plot 8 vite që mban karrigen e opozitarit, pa asnjë vendimarrje. Në fakt nëse i kthehesh historikut të kësaj vepre, padiskutim që fajtore në zvarritjen e saj janë të dyja palët, si qeveria e djeshme, ashtu edhe ajo e sotme. Nëse Berisha premtoi dhe nuk e mbajti në harkun kohor të 4 viteve këtë gjë, Edi Rama në fakt harron që ka 8 vite në pushtet, e do të duhej jo vetëm ta kishte inauguruar këtë vepër, por edhe të tjera pas saj. Me të drejtë ai sulmoi Voltana Ademin dhe bashkinë Shkoder që janë palë e fajit në këtë mes, por nuk u kujtua të thotë gjysmë fjale për rrugën e Velipojës që ka 3 vite që nuk përfundon në 900 metrat e saj, as për rrugën e Thethit që do të duhej të kishte përfunduar që në korrik, apo për shumë investime të tjera që Shkodra do të duhej ti kishte patur të përfunduara. Foli për hyrjen e qytetit, ku edhe ajo është pjesë e pengut dhe mosmarrëveshjet qeverisje qëndrore me pushtetin lokal, që i mbajnë lojën njëra – tjetrës me akuza. Për të gjithë është e kuptueshme që kemi hyrë në fushatë elektorale, pasi tashmë kemi një datë zgjedhjesh, e palëve u intereson të sulmojnë, gjejnë defekte e të premtojnë. Këtë gjë bëri edhe këtë herë kryeministri Rama dhe ministrja e tij Balluku, që pasi panë nga afër ecurinë e punimeve në By pass, i dhanë edhe afate firmës që cdo gjë të jetë gati përpara marsit 2021, kohë kur do t’i duhet të presë shiritin e inaugurimit për fushatën elektorale. Strategjia e mbajtjes peng të Shkodres me akuza e kundërakuza qeveri – bashki, e ku rolin kryesor e luan vetë kryebashkiakja Ademi është tashmë e kuptueshme nga të gjithë. Nuk do të jenë orë të kaluara gjatë, kur kryetarja në detyrë të bëjë gati statusin e kundërpërgjigjes për kryeministrin, duke mbajtur kështu refrenin që për 5 vite ka udhëhequr marëdhenien e tyre, duke ja faturuar pasojat qytetit dhe qytetarëve të Shkodres.