Vjen ultimatumi nga UEFA, ja ç’po ndodh me “Arena Kombëtare”, rrezikon që…

Është premtuar se sfida e 17 nëntorit kundër Francës do të luhet në “Arenën Kombëtare”, madje janë shpërndarë edhe biletat.

Por po ndodh e papritura. Gjatë orëve të fundit askush nuk mund ta thotë me siguri nëse sfida e fundit e grupit eliminator konfirmohet plotësisht në stadiumin ende të papërfunduar.

RTSH Sport mëson se gjatë inspektimit të fundit, të dërguarit e UEFA-s kanë pasur shumë kritika dhe kanë vendosur disa detyra emergjente ndaj njerëzve përgjegjës për finalizimin e punimeve. Pas disa orëve inspektim në stadium, ata janë larguar duke konfirmuar se do të kërkojnë periodikisht raporte për detyrat e shtëpisë që duhet të bëjë pala shqiptare.

Problemet më të mëdha lidhen me çështjet teknike që kanë të bëjnë me prodhimin e sinjalit, transmetimin e ndeshjes dhe akomodimin e komentatorëve e gazetarëve.

Të gjitha modifikimet duhet të bëhen brenda disa ditësh pasi nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nëse sfida do të luhet në “Arenën Kombëtare”. UEFA nuk ka lënë një afat dhe bëhet fjalë që të gjitha modifikimet lidhen ekskluzivisht vetëm me ndeshjen kundër kampionëve të botës sepse më pas është gjithë koha e nevojshme për të rregulluar çdo detaj.